Fejton: Thoma Goga
Kisha ca ditë pa e parë mikun tim Selim, me të cilin pimë atë kafenë e mëngjesit që është “në ofertë”. E ku nuk na shkon mendja e shkretë në këtë kohë të trazuar. Madje kemi ngatërruar edhe “grafikun”; nuk mbajmë mend kush e ka radhën për të paguar…Nejse. U gëzova që erdhi me një gazetë të dorë.
- Nga ke humbur, mo?- i thashë.- Mendova se…
-…se mos kisha shkuar tek “të shumtit”,- ma ktheu Selimi. - E jo a derëbardhë, – ja prita unë.- Thashë mbase kishe shkuar për pushime jashtë shtetit…
Ai e kuptoi ku e vërvita llafin dhe tundi kokën. Kaq ishte si për fillim. Pastaj muhabeti u vërtit tek politika. - Na mbetën në televizor ca politikanë e qeveritarë. Sidomos këto “Nafijet” e reja të qeverisë vdesin fare për t’u pispillosur e për të katranosur ekranet,- tha miku im Selim.
- Atë e kanë si punë,- kundërshtova unë.
- Rri Çome, për kokën tënde,- filloi Selimi të shkundi “thesin”. – Del alamet kryetar bashkie, nuk e mbjell pemën pa dalë në televizor. Shkon në një azile pleqsh dhe shpërndan vetë pjatat me çorbë. Nuk e çon që nuk e çon të tavolinë, po nuk e shkrepi “karemani” aparatin.
- Po këtu ke të drejtë,- i thashë.- Një ditë përurohej kopshti i fëmijëve. E dëgjova me këta veshë, kur u fliste vogëlushëve për projektet e reja të bashkisë, për “paudhësitë” e opozitës, për hyrjen në BE…Dhe kalamaja që e kuptuan drejtë, duartrokitën dhe qeshën vesh më vesh.
- O ç’ma solle në shteg o Çome, mos vdeksh kurrë! Sot në mëngjes e çova unë nipçen te kopshti. Oborri i kopshtit ishte plot me prindër e gjyshër. Ç’ka bërë vaki, thashë. M’u drejtua edhe mua edukatorja “O gjyshi, të lutem qendroni dhe ju se tani do presim një ministre”. Bëra si gjithë të tjerët. Se mos kemi punë tjetër…Nuk vonoi dhe erdhi një makinë e zezë. Kaluan dy minuta e nuk po dilte njeri. Pastaj doli një “shul” i gjatë nga vendi i parë dhe hapi derën e pasme. Zbriti një bojalleshë. Di gjë ti Çome, pse nuk e hapin derën vetë këto, mo?
- E, kështu e kanë si rregull sigurie,- hodha unë një romuz.
- Rri Çome për kokën tënde. Ç’do ta gjej këtu mes fëmijëve?! Nejse.
“Erdhi, erdhi” tha një edukatore. Dhe dy kalamja me tufa lule u turrën drejt ministres. Pastaj drejtoresha e kopshtit i ktheu pas. - Pse?- pyeta unë seriozisht.
- Sepse s’kishte ardhuar akoma “kameraxhiu” nga televizioni. Pritëm dhe nja 10 minuta sa erdhi ky me biçikletë. Pastaj u turrën kalamaja me lule. Ministrja u takua edhe një herë me drejtoreshën e kopshtit, megjithëse kefenë e kishin pirë bashkë. O po “thiatro”, të them.
- Ti Selim je ca opozitar i hidhur, ndaj flet kështu. Po të mos jetë “kameraxhiu”, si do ta marrë vesh populli që qeveria punon? E pastaj si shkoi takimi?
- Si takimet me popullin. U futëm dhe ne shoqëruesit e fëmijëve. Kur hyri ministrja, na bënë me shënjë se duhet të duartrokisnim. E nejse. Takimin e hapi drejtoresha dhe falenderoi qeveritaren që vjen e interesohet për kushtet e fëmijëve në kopësht. Pastaj mikrofonin e mori qeveritarja, e cila iu drejtua fëmijëve me zërin e saj si kanarinë: “Të dashur fëmijë! E dini kush jam unë? A mund të më thotë ndonjë, se kush jam unë”. Kalamaja shqyenin sytë. Shikonin njëri-tjetrin e ngrinin supet e vogla. “Hë, pra, më thoni kush jam unë?”
- Çudi, asnjë nuk e gjeti emrin e qeveritares?- hodha prapë një romuz.
- Rri Çome për kokën tënde. Në këtë çast ndodhi mrekullia vetë. Vogëlushi topolak që kisha përpara dha “përgjigjen” e rrallë; i shpëtoi një pordhëz melodioze… Qeveritarka u nxi si fund kusie. Të qeshurat tona dhe të kalamaqërve u hapën valë-valë. Kaq u desh dhe takimi u mbyll. Dua ta di, o Çome vëllai; do ta ketë rregjistruar ai “kameraxhiu” këtë të fundit? Se në lajme nuk ka dalë…
(TH.G.)