Moti i keq po vijon të shkaktojnë probleme rreth Europës. Në Danimarkë, bora dhe shiu po zëvendësohen nga ngrica therëse, me autoritetet që paralajmërojnë qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme në makinë për shkak të rrugëve të rrezikshme.
Banorët e qytezave buzë lumenjve në Angli u goditën nga reshjet e dendura që përfshinë Europën këtë javë dhe përmbytjet paralizuan shërbimin hekurudhor. Një stuhi e fuqishme me erëra shkatërruese zhyti në ujë mbi 1 mijë banesa dhe biznese. Në Gloucester në jug të Anglisë, uji përmbyti godina, automjete dhe toka bujqësore ndërsa rrugët u kthyen në lumenj. Qindra paralajmërime për përmbytje janë në fuqi dhe sipas agjencisë së mjedisit, impakti mund të zgjasë edhe për 5 ditë të tjera.
“Është një makth. Një makth i tmerrshëm. Jemi gjithë kohës në lëvizje, duke kontrolluar dyert, duke vëzhguar gjithçka, por nuk mund të bëjmë asgjë. Tualetet e as lavamanin nuk i përdorim dot”, tha një banore.
Rritja e nivelit të ujit po rrezikon shembjen e digave në pjesë të Gjermanisë veriore, e prekur prej ditësh nga reshjet e dendura. Autoritetet kanë mobilizuar vullnetarë nga shërbimet e mbrojtjes civile dhe miliona thasë me rërë janë shpërndarë në zonat e goditura.
Në Francë, temperaturat pritet të ulen drastikisht gjatë ditëve të ardhshme, dhe pas përmbytjeve banorët e rajonit të Pas-de-Calais janë të shqetësuar për acarin. Nëse niveli i ujit nuk do të reduktohet mjaftueshëm, ngricat mund të shkaktojnë dëme masive në banesat e përmbytura.
“Nëse ngrin, do të jetë katastrofë. Gjithçka do të lëvizë, muret do të çahen, gjithçka”, thotë një banorë në Montreuil-sur-Mer, ku njerëzit po bëjnë të pamundurën për të mbrojtur shtëpitë.
Kjo valë të ftohti po vjen edhe drejt Shqipërisë, ndonëse jo në përmasat e Francës dhe Anglisë.