Aksidenti tragjik, ja kush janë 4 të rinjtë që humbën jetën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në Fushë- Prezë, shumë pranë Vorës. Një makinë, në të cilin udhëtonin katër të rinj, është përplasur me një betonire.
Identitetet e 4 të rinjve që humbën jetën nga aksidenti i rëndë i ndodhur në aksin Fushë-Krujë-Vorë, janë zbardhur. Mësohet se ata janë Enejdi Laçi, Erildi Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti.
Ndërkohë shoferi i betonieres me të cilën u përplas automjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë, është identifikuar Aleksandër Krrashi. Ky i fundit u largua nga vendngjarja, por policia bën me dije se 24-vjeçari është shoqëruar tashmë për veprime të mëtejshme.
Si pasojë e goditjes, Mercedes Benz-i ka marrë flakë menjëherë, duke bërë që katër të rinjtë që udhëtonin në të të digjeshin tërësisht.
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.
Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç. Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç.”, thuhet në njoftimin e policisë.