
Autoritetet greke janë vënë në alarm këtë të diel pas një vale tërmetesh në zonën e ishullit të njohur turistik të Santorini. Vetëm në 48 orët e fundit janë regjistruar mbi 200 lëkundje ku më e fuqishmja ka qenë 4.5 e shkallës Rihter.
Ekspertët kanë dhënë alarmin për mundësinë e një tërmeti të fuqishëm dhe që mund të ketë pasoja të rënda. Gazeta greke “Protothema” shkruan se autoritetet kanë marrë një sërë masash duke përfshirë edhe mbylljen e shkollave për të hënën dhe anulimin e të gjitha aktiviteteve, jo vetëm në Santorini, por në të gjithë ishujt e Egjeut.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thirrur në orët e mbrëmjes një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit të tij për menaxhimin e situatës. Gazeta shkruan se nuk përjashtohet edhe mundësia e një shpërthimi vullkanik. I fundit vullkan që ka shpërthyer në këtë zonë ka qenë në 1950-ën.
Ne një mbledhje të komitetit të sizmologjisë dhe vullkaneve u deklarua se aktiviteti sizmik mbetet në rënie. Megjithatë qytetarëve u është rekomanduar të shmangin grumbullimet e mëdha brenda ndërtesave, afrimin me ndërtesa të braktisura si dhe hyrjen në portet e zonës.