AKTUALITETTOP-NEWS

ALARMI NË MARINZË! Gropa me mbetje hidrokarbure drejt tejmbushjes, rrezikohet një katastrofë ekologjike

Marinzë – Banorët dhe ekologjistët ngrenë alarmin: Një nga 8 gropat ekologjike të kompanisë Bankers Petroleum në Marinzë raportohet në kapacitet të plotë. Mbetjet hidrokarbure vazhdojnë të depozitohen, ndërsa frika është për një çarje të digës mbrojtëse dhe përhapjen e ndotjes në zonën përreth.

Një situatë që ngre shqetësim serioz për mjedisin dhe banorët e zonës së Marinzës po raportohet pranë fushës naftëmbajtëse, ku operon kompania Bankers Petroleum.
Bëhet fjalë për një nga 8 gropat ekologjike që përdoren për depozitimin e mbetjeve të aktivitetit hidrokarbur. Gropa ndodhet në kufirin ndarës mes zonës industriale dhe asaj rezidenciale, në pjesën lindore të fushës naftëmbajtëse të Marinzës.

Pamjet e siguruara në terren tregojnë një nivel të lartë të mbetjeve brenda gropës, duke ngritur shqetësimin se kapaciteti i saj është drejt ezaurimit.

Frika: Çarja e digës dhe përhapja e mbetjeve ose rënie zjarri.

Sipas banorëve dhe ekologjistëve që monitorojnë prej kohësh aktivitetin e kompanisë në këtë zonë, gjendja e gropës paraqet një situatë emergjente që kërkon ndërhyrje.
Ata pretendojnë se, pavarësisht nivelit të lartë të mbetjeve, depozitimi i materialeve hidrokarbure në këtë zonë vijon ende.

Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë e dëmtimit apo çarjes së digës mbrojtëse, çka, në rast të një incidenti, mund të shkaktonte përhapjen e mbetjeve hidrokarbure në sipërfaqet përreth dhe të përbënte një rrezik serioz për mjedisin. Stina e nxehtë e verës, era e rëndë e hidrokarbureve rrit frikën e rënies të ndonjë zjarri nga pakujdesia çka ka bër që të rrutet frika te banorët.

Pamjet e filmuara në terren tregojnë qartë nivelin e lartë të mbetjeve, ndërsa banorët kërkojnë që situata të mos lihet pa ndërhyrje.

Kompania është në dijeni, por nuk ka ndërhyrë”

Banorët dhe ekologjistët shprehen se kompania është vënë në dijeni për shqetësimin, por deri në momentin e realizimit të këtyre pamjeve, sipas tyre, nuk është ndërmarrë një masë konkrete për uljen e nivelit të mbetjeve apo forcimin e masave mbrojtëse.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar çdo skenar të mundshëm, veçanërisht në kushtet kur gropa ndodhet pranë zonës së banuar.

Pyetja që shtrohet tashmë është nëse institucionet përgjegjëse kanë kryer kontrollet e nevojshme dhe nëse kapaciteti i kësaj grope përputhet me parametrat dhe standardet mjedisore të lejuara.

Rrezik jo vetëm për mjedisin

Aktiviteti naftënxjerrës në Marinzë prej vitesh shoqërohet me shqetësime të banorëve për ndikimin në mjedis dhe në jetën e komunitetit.
Në rastin konkret, shqetësimi është edhe më i madh për shkak të afërsisë së gropës me zonën rezidenciale.

Nëse situata e paraqitur në pamje konfirmohet nga institucionet përgjegjëse, kërkohet një ndërhyrje e shpejtë për të shmangur çdo incident të mundshëm dhe për të garantuar sigurinë e banorëve dhe mbrojtjen e mjedisit.

Tashmë pritet reagimi i kompanisë Bankers Petroleum dhe i institucioneve përgjegjëse për kontrollin dhe monitorimin e aktivitetit hidrokarbur në Marinzë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button