OP/ AN

Alarmi/ Siguria ushqimore në rrezik, buxheti tregon seriozitetin e shtetit për ushqimin që hamë!”

Eksperti Ervin Resuli ngre alarmin: “Siguria ushqimore në rrezik – buxheti tregon sa serioz është shteti për ushqimin që hamë!”

Në një reagim të fortë publik, eksperti i sigurisë ushqimore dhe presidenti i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë, Ervin Resuli, ngre alarmin për mungesën e seriozitetit të shtetit në financimin e sektorit jetik të sigurisë ushqimore.

“Sfida e vërtetë fillon te buxheti – të tjerat janë dokrra, llafe bosh dhe ‘kinezerira’ për të shitur sapunin për djathë. Në kapitalizëm, buxheti bën diferencën. Pikërisht aty shihet sa serioz je për sigurinë ushqimore apo për çdo element tjetër jetik,” – u shpreh Resuli.

Sipas tij, siguria ushqimore në gjithë botën kushton shtrenjtë, sepse kërkon investime të mëdha në kontrolle, laboratorë, inspektorë dhe trajnime profesionale. Ndërsa në Shqipëri, sipas tij, problemi qëndron pikërisht tek nënfinancimi kronik i sistemit.

“Ne nuk jemi si Europa sepse jemi të nënfinancuar në çdo drejtim për ta bërë ushqimin e qytetarëve të sigurt. Kur të publikohet buxheti për vitin 2026, do të shihet qartë se si do të mbrohemi dhe si do të ushqehemi në atë vit,” – theksoi eksperti.

Resuli paralajmëron se krahasimi i tre viteve të fundit buxhetore do të tregojë më shumë se çdo deklaratë politike se sa serioze është qeveria shqiptare për sigurinë ushqimore, apo më saktë, për atë që ai e quan “siguria kombëtare e ushqimit”.

Ai shton se pa investim real në këtë sektor, çdo premtim apo strategji mbetet vetëm në letër, ndërsa qytetarët mbeten të pambrojtur përballë rreziqeve që lidhen me ushqimin e përditshëm.

“Siguria ushqimore nuk është luks – është çështje kombëtare!” përfundon me tone të forta Resuli, duke kërkuar që buxheti i vitit të ardhshëm të reflektojë realisht prioritetin e shëndetit publik dhe mbrojtjes së konsumatorëve shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button