Në Tiranë, studiues të njohur dhe diplomatë shqiptarë pohuan se gjatë vizitës në Shqipëri, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, pritet të sjellë mesazhe të rëndësishme mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë atlantiste në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Ata theksuan në komentet e tyre për Zërin e Amerikës, se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë Shqipërinë si partner kyç në rajon, ndaj edhe ajo ka një rol më të madh për të luajtur në forcimin e sigurisë atlantiste të rajonit.
Analistët mendojnë se edhe situatat më të fundit në Kosovë pritet të jenë temë e kësaj vizite, krahas marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-amerikane. Çështjet e sigurisë, mendojnë ekspertët, do të mbizotërojnë vizitën e sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken në Shqipëri.
Studiuesi i njohur dhe autor i një serie librash mbi diplomacinë, ish ambasadori Shaban Murati, thotë për Zërin e Amerikës se kjo vizitë ka rëndësi të madhe sepse SHBA janë për Shqipërinë aleati strategjik numër 1, dhe sepse në valën e dy konflikteve të nxehta si Gaza dhe agresioni rus në Ukrainë, drejtuesi i diplomacisë amerikane gjen kohë të vijë në Tiranë.
Zoti Murati thekson se SHBA me këtë vizitë po kryen një akt, që dëshmon se po i jep rëndësi marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rolit të Shqipërisë në rajon e në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, mesazhi kryesor që sjell sekretari Blinken është forcimi i rolit të Shqipërisë dhe të faktorit shqiptar në rajon për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshmërisë dhe në forcimin e arkitekturës atlantike të sigurisë në rajonin tonë.
“Kjo është një vizitë që e sjell mesazhin drejtuar Tiranës, gjithë kryeqyteteve të Ballkanit perëndimor dhe Rusisë, që SHBA kërkon, paraqet dhe dëshmon një angazhim më të madh të saj në gadishullin ballkanik. Kjo është shumë pozitive”, – thotë zoti Murati.
Ndërsa ish ministri i punëve të jashtme dhe historiani Paskal Milo, thotë për Zërin e Amerikës se vizita e sekretarit Blinken bëhet në mes të shumë çështjeve të sigurisë në rajon, në Europë dhe në botë. Ish ministri Milo theksoi se tani janë përqëndruar përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në Ballkan dhe për t’i trazuar ujërat në këtë rajon. SHBA-të, sipas tij, janë të shqetësuara për ndikimin negativ rus në Ballkanin perëndimor, si dhe për vatra tensioni, që mund të ringjallen në këtë rajon, ndaj është domethënëse që vizita e sekretarit Blinken në Tiranë bëhet në një kohë kur ka edhe një rritje të tensionit dhe qëndrimeve të Serbisë ndaj Kosovës.
“Zoti Blinken vjen në Tiranë me një mesazh shumë të qartë, për t’u thënë gjithë atyre që duan të trazojnë ujërat në Ballkan, që SHBA-të janë këtu, se SHBA-të janë në vëzhgim dhe se Ballkani perëndimor do të jetë në vëmendjen e tyre për sa kohë që ka aktorë të tjerë politikë të rëndësishëm, që kërkojnë të ndërhyjnë dhe të rrezikojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin perëndimor”, thotë zoti Milo.
Gjatë vizitës pritet të trajtohen edhe marrëdhëniet dypalëshe, dhe Shqipëria cilësohet nga SHBA-të si një partner kyç në Ballkanin Perëndimor. Ish ministri i jashtëm Besnik Mustafaj, tani president i këshillit të Ambasadorëve, thotë për Zërin e Amerikës se kjo është një vizitë shumë e rëndësishme dhe në kohën e duhur si për problemet që ka rajoni ashtu edhe problemet e brendshme që ka Shqipëria, dhe beson se sekretari Blinken do të mbrojë më fort SPAK-un dhe reformën në drejtësi.
Ai shtoi se Shqipëria cilësohet nga SHBA-të si aleat kyç, por në njoftimin e Departamentit të Shtetit nuk thuhet nëse është edhe aleat i denjë, ndaj beson se sekretari Blinken do të ndikojë që të bëhet e tillë Shqipëria, e cila ka aktualisht korrupsioni shumë të madh dhe standartet e cënuara të demokracisë.
“Administrata e Presidentit Biden qysh në fillim të mandatit, dhe vet presidenti Biden shpallën se sfidat më të mëdha do të jenë përparimi i demokracisë në vendet aleate dhe më gjerë si dhe lufta kundër korrupsionit: dy akse shumë të rëndësishme, të cilat reflektohen në Shqipëri në mënyrë problematike. Në raportet e institucioneve amerikane dhe europiane shënohen një mori problemesh që Shqipëria ka me korrupsioin dhe me demokracinë”, tha zoti Mustafaj.
Një mesazh tjetër me rëndësi nga kjo vizitë, sipas zotit Murati, lidhet me agresionin rus në Ukrainë dhe me planet afatgjata ruse për spostuar konfliktin në gadishullin e Ballkanit.
Aktualisht Ballkani është nën një presion të ndërhyrjeve dhe inflitrimeve ruse për të nxitur tensione në vatrat klasike të tensioneve si Kosova, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, shton zoti Murati, pa harruar përpjekjet në dy vende anëtare të NATO-s si Shqipëria dhe Bullgaria. Pra në të dy anët e gadishullit ka një strategji ruse për të rritur tensionet, pavarësisht se dy shtetet janë në NATO, vëren ai.
“Vizita e Sekretarit Blinken duhet parë edhe në një këndvështrim të situatës në Shqipëri përsa i takon qëndrueshmërisë, pra që Shqipëria si shtet duhet të ruajë, kujdesin që duhet të tregojë ndaj çdo ndërhyrje të fuqive anti-Atlantike, e sidomos të Rusisë, për të krijuar destabilitet në Shqipëri, ose në shtete të tjerë të NATO-s”, thotë zoti Shabani.
Studiuesit besojnë se vizita është një konfirmim i pranisë dhe marrëdhënieve që Shqipëria ka me SHBA, por shprehet angazhimi i saj për ta ruajtur këtë strukturë atlantike, këtë aleancë me gjithë shtetet e NATO-s ku hyn edhe Shqipëria.
Zoti Milo thotë se kemi një vlerësim shumë të qartë si partnerë kyç, dhe me një angazhim që Shqipëria duhet të ketë më tepër në partneritet me SHBA-të për të vazhduar si një faktor paqeje dhe sigurie në Ballkanin Perëndimor edhe më gjerë.
“Në kuadër të çështjeve të sigurisë edhe si anëtar i NATO-s, Shqipëria patjetër me këtë vizitë do të ketë edhe një rritje të rolit të saj si për problemet rajonale ashtu edhe për probleme që kanë të bëjnë me çështje të tilla të rëndësishme rajonale dhe botërore si lufta në Ukrainë”, thotë zoti Milo.
Duke u përqëndruar në rolin e Shqipërisë në rajon, zoti Mustafaj thotë se sekretari Blinken duhet të jetë në dijeni të ndikimit shumë të paktë që ka kryeministri Edi Rama mbi autoritetet e Kosovës, për shkak të nismave të tij në bashkëpunim me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, kundër interesit të Kosovës, si Nisma Open Ballkan, nga e cila ai u tërhoq.
“Acarim ka shkaktuar tek presidentja dhe tek kryeministri i Kosovës me këtë lloj sjellje diplomatike kryeministri Rama. Ky lloj protagonizmi i kryeministrit Rama ka qenë kundër interesit global, ku SHBA-të janë lider, dhe ka të bëjë me përfshirjen më konstruktive, më vizionare të Kosovës në bisedimet me Serbinë, e cila nga ana e saj ka patur qëndrime destruktive”, thotë zoti Mustafaj.
Nga këta studiues shihet si e një rëndësie të veçantë fakti që pas Tiranës, sekretari i shtetit Blinken shkon në Mynih në konferencën e përvitshme të sigurisë, ku sivjet më tepër se kurrë do të diskutohen çështje që kanë të bëjnë me Europën, Ukrainën, por edhe me konfliktin në Gaza. Po ashtu ata besojnë se është domethënës edhe fakti se vizita e sekretarit Blinken vjen pak ditë para Samitit të Ballkanit perëndimor, ku do të diskutohet edhe çështja e Ukrainës dhe pritet të marrë pjesë e presidenti Zelensky. /VOA