Nga Peter Lucas, Boston Harald
Nuk ka asgjë që Joe Biden nuk do ta bënte për t’u bërë qejfin vendeve që i duan të keqen Shteteve të Bashkuara. Në fillim Kina, tani Irani.
Kjo u bë e qartë në Shqipërinë e vogël, një demokraci me peripeci, ku qeveria bastisi me forcë shtëpitë e një grupi të rezistencës iraniane prej 3000 njerëzisht që kundërshtojnë me forcë qeverinë iraniane dhe kërkojnë përmbysjen e saj.
Një iranian u vra dhe qindra u plagosën kur 1000 forca policore shqiptare sprucuan iranianët protestues me gaz lotsjellës dhe pepper spray. Policia shpërtheu dyert dhe konfiskoi e shkatërroi materiale, pajisje personale dhe 150 kompjuterë.
Bastisja u krye për të luftuar “aktivitet të paligjshëm” të paspecifikuar, çka e përkthyer do të thotë përpjekjet e grupit të rezistencës për të sabotuar qeverinë iraniane përmes aktivitetit elektronik e kibernetik.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nëse SHBA po zbutej me Iranin për të siguruar një marrëveshje bërthamore, tha se policia thjesht ekzekutoi një urdhër të gjykatës. Ai tha “ne e mbështesim të drejtën e qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo aktivitet të mundshëm të paligjshëm brenda territorit të saj”.
Joe Biden iu hodhi një kockë mullahëve në Iran dhe ata u kënaqën me të.
Të quajtur MEK (Mujahedeen-e-Khaliq), disidentët iranianë fillimisht u shpëtuan nga Irani falë SHBA më 2014, që kërkoi të gjente një strehë të sigurt për ta.
Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe shtet vasal i SHBA, i mori. Ata jetojnë në kamp në një zonë midis Tiranës dhe Durrësit në bregun e Adriatikut.
Që atëherë, ata kanë funksionuar, me përkrahjen e heshtur të SHBA, si gjemb në këmbën e diktatorit religjioz të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe të mullahëve iranianë që sundojnë shtetin policor fetar.
Politikanë të njohur, si ish-zëvendëspresidenti Mike Pence dhe ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i kanë përkrahur disidentët iranianë dhe të dy e kanë vizituar kampin e tyre.
Megjithatë, gjërat morën një kthesë të papritur për keq për ta pas përpjekjes së Presidentit Joe Biden për t’u bërë i mirë me Khamenein duke negociuar një marrëveshje për kufizimin e programit bërthamor të Iranit, një marrëveshje që Presidenti Donald Trump e prishi më 2018.
Sipas marrëveshjes së Biden, SHBA do të lehtësonte sanksionet mbi Iranit, do të çlironte asete të ngrira iraniane me vlerë miliard dollarë, do të bënte që terroristët iranianë të pushonin së vrari amerikanë në Irak e Siri, do të lironte pengje amerikane, do të bënte që asetet e shkrira iraniane të përdoreshin për qëllime “humanitare” dhe do të ndalonte pajisjen e Rusisë me dronë e raketa balistike.
Pompeo, i cili vizitoi selinë e MEK vitin e kaluar, akuzoi Biden për “braktisjen e popullit iranian dhe pasurimin e shtypësve të tij. Regjimi është i përkushtuar të shtypë popullin e vet ndërsa përhap terror dhe kaos jashtë vendit, dhe dëshira e verbër e administratës Biden për ta marrë me të mirë e negociuar me të e ka bërë botën një vend më të rrezikshëm”.
Një fakt ironik midis shumë të tjerëve është se kryeministri shqiptar Edi Rama dhe qeveria e tij socialiste – me mbështetjen e SHBA – mbyllën ambasadën iraniane dhe ndërprenë marrëdhëniet me Iranin vitin e kaluar pasi ai akuzoi Iranin për një sulm kibernetik.
Sulmi i 15 korrikut mbylli pjesën më të madhe të platformave qeveritare shqiptare dhe Rama akuzoi Iranin për “agresion shtetëror”. Iranianët e quajtën atë lolo të Amerikës.
Tani, falë Biden, duket sikur asgjë nuk ka ndodhur.
SHBA tani po mbështet Ramën, përkrahës i Joe Biden, dhe sulmin e tij ndaj luftëtarëve të rezistencës iraniane, të cilët ai dhe SHBA dikur i mbështetën në përpjekjet e tyre për të rrëzuar qeverinë shtypëse iraniane.
Shumë shqiptarë mendojnë se SHBA thjesht po e përdor Shqipërinë si një ushtar të gatshëm në përpjekjen e Biden për të qetësuar militantët fetarë që drejtojnë teokracinë iraniane.
Administrata Biden, përmes Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, ka bërë një politikë të ndërhyrjes në politikën, zgjedhjet dhe qeverisjen shqiptare. Nëse Amerika thotë ‘hidhu’, politikanët shqiptarë thjesht pyesin ‘sa lart’?
Është e kuptueshme nëse disidentët iranianët mendojnë se Biden i ka braktisur. Kjo vjen ngaqë ai i ka braktisur vërtet, ashtu siç braktisi mijëra afganë aleatët të amerikanëve në Kabul kur u tërhoq në mënyrë kaotike nga Afganistani.
Është doktrina e Bidenit: Ndihmojeni Amerikën për të zezën tuaj./Boston Herald