Më 16 shtator do të zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë i cili pritet të nisë gjithashtu edhe garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme. Kreu i KLP, Alfred Balla u shpreh se drejtuesi aktual, Arben Kraja përfundon mandatin në datën 18 dhjetor dhe si detyrim këshilli duhet të hapë 3 muaj para te hapë garën. Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është për 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite. Drejtuesi i SPAK nuk ka të drejtë rizgjedhjeje, gëzon vetëm 1 mandat.
“Drejtuesi aktual i Prokurorisë së Posaçme përfundon mandatin në datën 18 dhjetor dhe ne kemi detyrimin si Këshill që 3 muaj para përfundimit të hapim garën. I bie që javës tjetër, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit që kemi fiksuar në datë 16 shtator, një nga pikat në rendin e ditës do të jetë edhe hapja e garës për drejtues të Prokurorisë së Posaçme”, shprehet kreu i KLP, Alfred Balla.
Mësohet se tre janë kadidatët të cilët kanë shfaqur interes, bëhet fjalë për prokurorët Edvin Kondili, Klodian Braho, Andand Xholi.