Zëri i Amerikës”, media më e fuqishme në botë, ka botuar dje një material që lidhet me arrestimin e një ish-zyrtari të lartë të FBI ku, sipas VOA, përveç të tjerave ka marrë edhe ryshfete nga Shqipëria në shuma të mëdha në dollarë.
Ja se çfarë shkruan ndër të tjera VOA: ”Të mërkurën, ish zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, arrestuar të shtunën nga autoritetet amerikane, pritet të dalë para gjykatës në Uashington për t’u shprehur nëse i pranon apo jo akuzat se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.
Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.
Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.
Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri.
Akt-padia e bërë publike dje nga gjykata në Uashington nuk e identifikon më tej Personin A. Por, në bazë të një njoftimi tjetër të shtypit amerikan, në shtator të vitit të kaluar, ku njoftohej se ish zyrtari i FBI-së McGonigal ishte nën hetime, portali “Business Insider” boton kopjen e një dokumenti të jurisë së madhe, ku në listën e atyre, që do të thirreshin për të dëshmuar, figuron shtetasi Agron Neza, shqiptaro-amerikan, që dekada të shkuara ka punuar për shërbimet inteligjente të Shqipërisë.
Personi i dytë nga Shqipëria, i lidhur me ish zyrtarin e FBI-së, identifikohet në akt-padi si Personi B, i cili “ishte një shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Personi B shërbente si një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare.”
Nëse i referohemi sërish dokumentit të jurisë së madhe, në të, personi tjetër, që duhej marrë në pyetje është Dorian Duçka, ish zv/ministër për energjitikën dhe më pas konsulent i pavarur.
Personi A dhe Personi B, sipas akt-padisë, “ishin miq dhe partnerë biznesi me njëri-tjetrin.”- vazhdon “Zëri i Amerikës”.
Por nga hetimet del një politikan-biznesmen që ka luajtur fijet dhe që sipas burimeve amerikane ai do të kërkohet të ekstradohet në SHBA për llogari të këtij hetimi.
Ndonëse në materialin e publikuar nga “Zëri i Amerikës” nuk thuhet emri i këtij politikani-biznesmen, përsëri në qarqet e mazhorancës e dijnë emrin dhe kanë filluar të gjithë ti mbyllin celularin, pasi ai ka kohë që survejohet për llogari të drejtësisë së SHBA.