Policia rrugore Fier – Kontrolle nga Policia Rrugore, të përqendruara në drejtim të shkeljeve që janë burim aksidenti.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë, Policia Rrugore ka vijuar punën për evidentimin dhe procedimin e personave që drejtojnë mjetet në mënyrë të parregullt, si dhe për konstatimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që janë burim i shtuar për aksidente rrugore.
Janë ushtruar kontrolle të shumta në të gjitha akset rrugore të qarkut, jo vetëm për menaxhimin e trafikut dhe për parandalimin e aksidenteve rrugore, por edhe për evidentimin, verifikimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetet në gjendje të dehur, që kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë, nuk vendosin rripin e sigurimit apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Nga kontrollet e ushtruara, gjatë javës që lam pas janë konstatuar dhe arrestuar në flagrancë 4 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 73 leje drejtimi, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 4 për drejtim mjeti nën efektin alkoolit.
Policia Rrugore e Fierit do të vijojë kontrollet në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, për të gjitha kategoritë e mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për më shumë rregull e siguri në rrugë, në favor të jetës dhe të shëndetit të qytetarëve.