Arrestohet djali i Cher, akuza për sulm dhe hyrje të paligjshme

Elijah Blue Allman, djali i Cher dhe Gregg Allman, është arrestuar në Concord, New Hampshire, nën akuza për sulm dhe hyrje të paligjshme.
Sipas TMZ, 49-vjeçari u ndalua të premten në mbrëmje pasi policia mori një telefonatë për një “mysafir të padëshiruar” që po shkaktonte trazira dhe po sillej në mënyrë agresive në ambientet e shkollës prestigjioze St. Paul’s School, rreth orës 19:00.
Policia e identifikoi më vonë personin si Allman. Ai u arrestua dhe u akuzua për dy raste sulmi të thjeshtë, si dhe nga një akuzë për hyrje të paligjshme, kërcënim dhe prishje të rendit publik.
Allman u dërgua në burgun e Qarkut Merrimack, ku u procedua dhe më pas u lirua me detyrim paraqitjeje në gjykatë. Ai pritet të dalë para trupës gjyqësore në një datë të mëvonshme për seancën paraprake.
Ende nuk dihen arsyet pse muzikanti ndodhej në ambientet e shkollës, ndërsa burime për TMZ kanë deklaruar se nuk është e qartë çfarë lidhjeje mund të kishte ai me zonën.
Elijah Blue Allman, i cili jeton kryesisht në Kaliforninë Jugore, ka folur më herët publikisht për betejën e tij me varësinë nga droga.
Në vitin 2023, Cher ndërmori hapa ligjorë për ta vendosur të birin nën kujdestari ligjore , duke argumentuar se ai nuk ishte në gjendje të menaxhonte siç duhet financat dhe kujdesin për veten për shkak të varësisë. Pas një beteje ligjore disa mujore, këngëtarja tërhoqi kërkesën e saj në vitin 2024.
Në maj 2025, Allman u fotografua në gjendje të rënduar pranë hotelit të njohur Chateau Marmont në Los Angeles, ndërsa një muaj më pas u shtrua në spital pas një mbidoze.









