KULTURË

Artan Maku: Në filmin e animuar shqiptar ka rënë niveli artistik  

Filmi i animuar shqiptar ndër vite ka pasur suksese, por është përballur edhe me probleme në realizmin e tij. Në një rrëfim për filmin e animuar shqiptar  regjisori Artan Maku ndër të tjera flet edhe për nivelin artistik. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori i animacionit Artan Maku njëkohësisht dhe drejtor artistik i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anifest Rozafa” dhe “Anifest A-Gjiro” thotë se sukseset e animacionit dekada më parë ishin politikat për fëmijët.

Regjisori Artan Maku sjell në vëmendje edhe problemet me të cilat përballet animacioni shqiptar gjatë këtyre viteve, që sipas tij kanë ndikuar dhe në rënien e nivelit artistik. Ai thotë se filmat tani po trajtohen ndryshe, jo më frymën dikur, por kjo sipas tij është edhe në dëm të nivelit artistik. Regjisori Artan Maku ka realizuar filma të ndryshëm ndër vite, ku filmi më i fundit i tij është ai me titull  “E mallkuar”, që u shfaq premierë në tetor të vitit 2023.

-“Zana dhe Miri” njihet si filmi i parë i animuar shqiptar. Ky film me autorë realizues Vlash Dobroniku dhe Tomi Vaso mban si datë krijimi, vitin 1975. Por nëse flasim për prodhime të animacionit shqiptar vite më parë, ju si krijues çfarë mund të na thoni më shumë rreth asaj që përcillnin këto realizime filmash?

“Zana dhe Miri” filmi i parë i animuar shqiptar u shfaq në kolektiv më 25 nëntor 1975 në sallën e madhe të Kinostudios. Filmi i animuar lindi si film i mungesës së filmave për fëmijë. Sukseset e animacionit dekada më parë ishin politikat për fëmijët. Pas vitit 1960 ka pasur një vakum, boshllëk filmi për fëmijë, sepse më parë mbulohej me filma kinezë dhe rusë. Më vonë u lind e domosdoshme dhe politika e fëmijëve. Politika e edukimit për fëmijët, që në Kinostudio u pa e arsyeshme që të krijohej filmi i animuar shqiptar, që fliste shqip, që transmetonte ideologjinë shqip dhe edukimi ishte shqip. Kryesisht ishin filma me tematika edukative dhe nuk lejoheshin koncepte të tjera. Konceptet e tjera që bëheshin nga krijues të ndryshëm ose izoloheshin ose bllokoheshin,  e vetmja gjë ishte ideologjia. Ne nuk duhet të keqinformonim fëmijët, nuk duhet të bënim abstragime shumë, nuk duhet të bënim hiperbolizime shumë, por realitetin ta shprehim ashtu siç është. Pra të ishte film didaktik për fëmijët.

Ju si krijues herë pas here keni sjell në vëmendje punën që është bërë me filmin animuar shqiptar ndër vite, por jeni shprehur se pas 1990-tës u larguan edhe krijues jashtë Shqipërie. Çfarë solli kjo me realizimin e filmave, me çfarë u përball animacioni shqiptar?

Për inerci të asaj kohe, ku krijuesit primare kishin vënë shpirtin, pasioni mbi filmin e animuar, kjo vazhdoi dhe pas viteve 1990. Konceptet ishin të njëjta, ishte e vështirë për t’u thyer konceptet. Kishte një hap zhvillimi në vitin 1985 dhe pastaj filloi i zhvilluar. Një pjesë që nuk e ndjente se nuk e kapte këtë ritëm, ritmin e kohë së sotme u larguan dhe ikën jashtë vendit. Por këtu mbetën një pjesë shumë pak. Erdhi një grup tjetër krijuesish, që kishin mbaruar studimet në Akademinë e Arteve, por erdhën me koncepte të tjera, me mentalitet tjetër.

Ata filluan që ta thyenin edhe këtë lloj didaktike dhe një lloj pedagogjike, që kishte filmi i animuar në atë kohë. U zhvillua filmi i animuar, filluan të trajtoheshin me konceptin e figurës artistike në film. Pati një zhvillim dhe filmi i animuar filloi të hapi dyert nëpër festivalet ndërkombëtare. Pati dhe krijues, të cilët janë dhe sot dhe ky brez që erdhi pas viteve 1990 filluan të ngrinin nivelin e filmit të animuar, sipas trashëgimisë dhe frymës që gjeti aty. Më vonë ose tani në këtë periudhë filluan të degjenerojnë dhe filloi të degjenerojë edhe fryma artistike e filmit të animuar. Nuk po e shohim në frymën e atëhershme te ndershmëria, pastërtia dhe sinqeriteti që ishte mbi filmin e animuar. Tani po trajtohen ndryshe, por kjo është në dëm të nivelit artistik të filmit të animuar shqiptar.

-Ju po flisni për problemet në animacionin shqiptar, ndërkohë që prej vitesh ju zhvilloni dhe një festival ndërkombëtar në vendin tonë për filmin e animuar. Ju jeni drejtori artistik i “Anifest Rozafa” dhe “Anifest A-Gjiro”. Si është ky përfaqësim i animacionit shqiptar këto vite në festivalin që ju drejtoni?

Unë si Artan që merrem me filmin e animuar, me festivalin e filmit të animuar, shumë herë nuk mund t’i fus dot në konkurrim.

-Pse e thoni këtë?

Po sepse janë realizime të dobët të filmit të animuar. Kam takuar edhe krijues, që merren me filmin e animuar dhe i kam thënë më thoni çfarë doni të tregoni, më thoni fabulën, mesazhi që ju doni të tregoni me filmin?Unë kam dhënë dhe mësim në Universitetin e Shkodrës. I pyes studentët, ku e kanë mesazhin e këtij filmi? Më tregoni mënyrën se si është konceptuar filmi? Filmi i animuar si ai artistik ka koncept regjisorial dhe nuk mund të trajtohet, hajde po rris lëvizjet dhe ngjarjet kot më kot. Ka një koncept regjisorial, që ndahet në faza dhe regjisori i trajton për të nxjerrë mesazhin e filmi. Iu kam thënë të rinjve ma tregoni mesazhin e filmit të animuar? Thonë ku e dimë ne. I pyes, më thoni kodin e filmit të animuar, sepse ka 13 kode.

Suksesi i një filmi të animuar duhet të ketë 13 kode të zbërthyeshme? Përgjigja e tyre: ç’më duhet mua. Pyes, po si e bën filmin? E bën kompjuteri është përgjigja. I them, ku është roli jot si krijues, që ke marrë përsipër të realizosh një film të animuar? Kur kthen kokën dhe bën një përmbledhje shikon, që filmat e animuar nuk shfaqen në kinema qëndrore, pra të jetë një grup realizimesh. A organizohen me shkollat, kopshtet, të rinjtë, në përputhje me moshat dhe shfaq filmin? Kjo nuk bëhet. Por këtë vit u aprovuan nga bordi në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK) skenarët e Bujar Kapexhiut dhe Shaqir Veselit dhe këta janë krijues të mirëfilltë dhe me vlera, që ka pasur  Kinostudio, që ka pasur në grupin e filmit shqiptar.

Por në QKK më parë janë aprovuar dhe filma nga krijues, që nuk kanë njohuri për filmin. Me këto problematika që shohim, filmi i animuar shqiptar në vitet e fundit ka qenë një dështim. E para gjë, fillon në bordin e filmit. Aty ku fillon dhe filmi i animuar. Në bordin e filmit, ku miratohen dhe projektet e animacionit  pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK) nuk duhet të vijnë njerëz që manipulojnë situatat, por duhet të vijnë artistë të mirëfilltë. Unë personalisht edhe Gazmend Lekën do ta kisha pranuar në bord, që ka qenë udhëheqës artistik i asaj kohe, sepse unë e shoh nga pikturat që bën njëri dhe tjetri. Janë që kanë filozofi, që reflektojnë. Bordi duhet të ketë krijues artistë të mirëfilltë. Ndaj presim që bordi i ri që do të krijohet më vonë të jetë me artistë krijues të mirëfilltë.

-Ju si krijues keni 44 vite me filmin e animuar, ku keni realizuar filma të ndryshëm. Çfarë mund të thoni për punën tuaj me animacionin?

Unë filmin e animuar e kam pasur koncept. Tek -tuk mund të kem pasur ndonjë film didaktik. Po përshembull filmi “Jo kështu Piku” nuk pëlqehesha nga drejtoria e asaj kohe, kishte aventurë. Për filmin “Portreti” u dënova në 1989, sepse më akuzuan se po hedh figurën e Enver Hoxhës poshtë, gjë që nuk kishte fare lidhje. Këtë e ngritën dhe në 1988 dhe në 1989. Si Artan mbështetem te një filozofi dhe koncept i caktuar. Lexoj si filozofinë indiane, se nuk është kot, filozofia është kulturë. Filozofia është sinteza e  një jete të caktuar dhe e një shoqërie të caktuar. Unë mbështetem te filozofia. Edhe filmi i fundit “E mallkuar” ka pasur shumë debat këtu, ndërsa ka pasur suksese gati në 40 festivale pjesëmarrje dhe ka marrë edhe çmime të ndryshme, por këtu ka pasur debate dhe është keqinterpretuar dhe nuk kanë dashur ta pranojnë.

Intervistoi: Julia Vrapi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button