Balliu: Rama nuk po rrezikon vetëm pushtetin, por edhe burgun

Deputeti demokrat, Klevis Balliu akuzoi kryeministrin Edi Rama për gjuhën e përdorur gjatë konferencës së sotme për shtyp, ku sulmoi hapur median, gazetarët dhe opozitën, duke e cilësuar “gjuhë vulgare” dhe që tregon tensionin që po kalon kreu i mazhorancës pas skandaleve dhe aferave korruptive që po heton drejtësia.
Ligjvënësi i PD nënvizoi se dosja “Balluku” është hall i vetë kryeministrit Rama më shumë sesa i zv/kryeministres së shkarkuar, pezulluar dhe të pandehur nga SPAK-GJKKO, ndërsa iu mbrojt imuniteti me 82 votat e shumicës në Parlament, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë.
“Rama ka kohë që është në tension. Çështja Balluku është më shumë çështja Rama e jo Balluku. Gjuha vulgare që përdori sot ndaj medias dhe opozitës, sikurse edhe ajo ndaj partisë së tij, e tregon këtë. Gjithë agresiviteti i tij tregon një problem dhe situatë të rënduar. Ai nuk po rrezikon vetëm pushtetin, por edhe burgun. Sepse ashtu siç ka ardhur çështja Balluku, mos u habisni kur të vijë ndonjë fletë-arresti edhe ndaj tij. Gjuha e urrejtjes që ai përdori ndaj gazetarëve ishte arrogante teksa nxori jashtë dy gazetarë”, tha Balliu.
Deputeti demokrat solli në vëmendje gjendjen e ekonomisë, varfërisë, krimit të organizuar dhe kryesisht pastrimit të parave, zhvlerësimit të euros dhe korrupsionit.
Në fund Balliu tha se kryeministrit i ka rënë edhe “perdja e fundit”, se vetëm ai kishte marrëdhënie të mira me ndërkombëtarët.
“Atij i ra edhe perdja se “ndërkombëtarët donin vetëm atë”. Në fakt perdja e tij ra që para votimit dhe më pas i ra edhe perdja e fundit ku fshihej pas deklaratave të ambasadave të Gjermanisë, Britanisë, Holandës dhe të tjerave. Jemi kthyer 37 vite pas, ku vendimet e një partie prevalojnë përpara Parlamentit dhe ligjit”, tha ligjvënësi opozitar.









