Balluku lë ministrinë në lot: Ndoqa shembullin e Ramës, ishte shkolla më e mirë!

Me zërin që i dridhej nga emocionet dhe me punonjësit që duartrokisnin, Belinda Balluku i ka lënë lamtumirën Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës me një mbledhje ku ka prezantuar pasuesin e saj, Enea Karakaçin. Në një nga momentet e saj më të këqia, ndërsa SPAK ka kërkuar arrestimin dhe kuvendi do të votojë pas 6 ditësh për fatin e saj, Balluku e bëri të qartë se si në punën e saj ishte udhëhequr gjithnjë nga shembulli i Edi Ramës, të cilin e quajti “shkolla më e mirë”
“Unë dua të përfitoj nga rasti për të falenderuar kryeministrin Rama për të gjithë besimin dhe mundësinë që më ka dhënë në këto vite, por mbi të gjitha për shembullin që ka krijuar me mënyrën e tij të lidershipit. Ka qenë e lehtë për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e ekipit të tij në fillim të viteve 2000, disa prej të cilëve janë edhe këtu përballë meje, që të ndjekim shembullin e tij se si frymëzohen njerëzit që punojnë me ty. Se si ti i jep besim dhe ata, atë besim duhet ta kthejnë në rezultate. Jam munduar të ndjek shembullin e tij me ju dhe me të gjithë ata që kanë punuar në këto. Dhe me thënë të drejtën është shkolla më e mirë nga e cila kanë dalë drejtues, njerëz që e duan Shqipërinë dhe sakrifikojnë pa asnjë lloj dyshimi, për të mirën e madhe” tha Balluku. Video më poshtë:
E ardhmja e Belinda Ballukut është në udhëkryq pasi SPAK e akuzon për shkelje të barazisë në tendera në 9 raste. Deri më tani, kryeministri Edi Rama ka sulmuar drejtësinë që i pezulloi zv.kryeministren nga detyra, por asnjëherë nuk ka thënë se do ta rrëzojë kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.
Balluku u mor e pandehur fillimisht për tenderin e tunelit të Llogarasë, pasi në celularin e ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi u gjetën mesazhe kur të dy ndanin tendera pas takimeve me biznesmenët dhe me porositë e kryeministrit Edi Rama.
Presioni nga Bashkimi Europian për të votuar pro arrestimit të Belinda Ballukut është i madh, ndërkohë që Rama ka lëshuar sinjale të padeshifrueshme deri tani për votën e PS në parlament.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës i ka kaluar stafetën ditën e sotme pasardhësit të saj Enea Karakaçi. Gjatë fjalës së saj për prezantimin e Ministrit të ri, Balluku ka folur në lidhje me hetimet e SPAK-ut ndaj saj. Balluku ka deklaruar se reforma e re në Drejtësi duhet që të jetë frymëzimi i këtij vendi.
Ndërkohë që ajo ka theksuar se vetë nuk ka për të përmendur prokurorë apo gjyqtarë në mënyrë që t’i anatemojë ata në punën e tyre. Më tej, Balluku ka theksuar se ata duhet që të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, njësoj siç ajo ka bërë punën e saj.
Kam marrë një vendim personal, me vullnet të lirë, që të hesht për një çështje juridike, pasi unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale dhe as në bankete mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj ashtu siç e parashikon Kushtetuta, kodet apo ligjet në fuqi. Kam vendosur, ndryshe nga shumë të tjerë, të mos analizoj, të mos flas dhe të mos anatemoj, por të jem konsistent në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur.
Unë besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Ramës dhe PS-së, si një produkt i një Shqipërie europiane, duhet të vazhdojë të jetë frymëzim për këtë vend, pasi kjo reformë u krye për të kthyer besimin e qytetarëve tek një drejtësi e drejtë dhe e pavarur. Unë besoj tek kjo drejtësi dhe nuk do të më dëgjoni kurrë as ta lavdëroj kur ajo godet kundërshtarët e mi politikë, pasi unë nuk kam kundërshtarë të tillë, dhe as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë.
Nuk do të më dëgjoni kurrë të përmend prokurorë dhe gjyqtarë, pasi besoj se ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç e kam bërë edhe unë, dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjykata publike, nga gjysmë të vërteta apo nga gënjeshtra. Nuk kam pasur dhe as nuk kam lidhje me korrupsionin. Po më bëhet gjyq publik,’ tha Balluku.











