Banorët e fshatit Kraps shtrojnë vetë rrugët: Pagojmë taksa, por investime nuk kemi parë prej 20 vitesh

Fier – Banorët e fshatit Kraps janë detyruar të marrin vetë në dorë zgjidhjen e një problemi që sipas tyre duhet të ishte përgjegjësi e institucioneve vendore.
Prej më shumë se 20 vitesh, thonë ata, në rrugët e brendshme të fshatit nuk është kryer asnjë investim nga pushteti vendor.
Përballë kësaj situate, banorët e lagjeve janë organizuar mes tyre dhe, në mënyrë vullnetare, kanë mbledhur kontribute financiare për të shtruar vetë rrugët e fshatit. “Kush më pak e kush më shumë, kemi dhënë para nga xhepi ynë për të rregulluar rrugët ku jetojmë”, shprehen ata.





Sipas banorëve, kjo situatë bëhet edhe më e rëndë nga fakti se ata paguajnë rregullisht taksat pranë bashkisë për shërbime si pastrimi, gjelbërimi dhe mirëmbajtja, por investimet në infrastrukturë mungojnë.
“Përveçse i rregulluam vetë rrugët, më pas erdhën mjetet e rënda dhe na i shkatërruan sërish ato që kishim bërë me mundin tonë”, ankohen banorët.











Ata tregojnë se kanë bërë dhjetëra kërkesa dhe ankesa pranë institucioneve vendore, madje edhe protesta, por deri tani nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete për përmirësimin e infrastrukturës së fshatit.
Banorët e Krapsit i bëjnë thirrje bashkisë dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për investime në rrugët e brendshme të fshatit, pasi sipas tyre, infrastruktura është një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen çdo ditë.
/ALB365/Xhemil Beharaj









