Banorët e Mbyetit vetëm 500 metra nga qendra, por në terr dhe baltë (foto e video)

Fier – Vetëm pak hapa larg nga zemra e Fierit, në një distancë prej më pak se 500 metrash nga qendra e qytetit, ndodhet lagjja Mbyet, ku jetojnë rreth 150 familje. Por ndryshe nga pamja moderne e qytetit, këtu duket sikur koha ka mbetur në vend: rrugë të pashtruara, mungesë e ndriçimit publik dhe infrastruktura bazë inekzistente.
Banorët thonë se në letra, lagjja e tyre figuron me rrugë të asfaltuara, trotuare të rregulluara dhe ndriçim të plotë, por realiteti është krejt ndryshe. Çdo ditë ata përballen me baltë në dimër dhe pluhur gjatë verës, duke e bërë jetën e përditshme edhe më të vështirë.
“Me dokumenta na thonë që kemi rrugë të shtruara, por ju e shihni vetë, këtu s’ka as asfalt, as trotuare, as drita. Çdo ditë jemi në baltë.”





Për vite me radhë, banorët e kësaj lagjeje janë përpjekur të gjejnë zgjidhje. Ata kanë zhvilluar disa herë protesta dhe kanë kërkuar zyrtarisht investime në infrastrukturë. Por edhe pse kanë ngritur zërin, edhe pse kanë marrë premtime të vazhdueshme gjatë fushatave elektorale, situata mbetet e pandryshuar.
“Na kanë premtuar shumë herë, në çdo fushatë na thonë që rruga do bëhet. Por përfundimi është gjithmonë ky që shihni sot.”
Banorët janë të bindur se edhe pak investime që janë bërë në zonë nuk kanë qenë të barabarta për të gjithë. Ata thonë se ndërtimi i rrugëve është bërë me preferenca politike: një pjesë e lagjes, aty ku banojnë familje që mbështesin partinë në pushtet, ka përfituar asfaltim, ndërsa pjesa tjetër është lënë në gjendje të mjerueshme.







“Rruga është shtruar deri te shtëpitë e socialistëve. Këtej ku jemi ne, demokratët, është lënë katastrofë. Ky nuk është trajtim i barabartë.”
Ndërkohë, mungesa e ndriçimit e bën lagjen të rrezikshme edhe për kalimtarët. Fëmijët detyrohen të ecin në errësirë për të shkuar në shkollë, ndërsa të moshuarit shprehen se dalja në mbrëmje është bërë e pamundur.
Banorët e lagjes Mbyet kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme nga institucionet vendore. Ata thonë se është e papranueshme që në zemër të Fierit, vetëm pak minuta larg bashkisë, qytetarët të jetojnë ende mes baltës, terr-it dhe premtimeve të pambajtura./ ALB365/ Xhemil Beharaj











