AKTUALITETTOP-NEWS

Banorët kërkojnë ndërtimin e një xhamie: “Nuk falemi në këto ditë feste, na duhet një xhami e re”


Fier – Në Patos Fshat, pjesë e njësisë administrative Portëz në bashkinë Fier, banorët me shumicë myslimane po përballen prej vitesh me mungesën e një xhamie funksionale, duke i detyruar të udhëtojnë drejt zonave të tjera për të kryer ritet e tyre fetare, sidomos gjatë ditëve të shenjta.

Historia e objektit të kultit në këtë fshat është e hershme. Xhamia e parë, e ndërtuar në fillim të viteve 1900, u shkatërrua gjatë periudhës së sistemit komunist në vitin 1967, kur objektet fetare u mbyllën dhe u zhdukën në të gjithë vendin.

Pas ndryshimeve politike, në vitin 1996 u ndërtua një xhami e re në qendër të fshatit, por ajo nuk i rezistoi kohës. Si pasojë e lëvizjeve tektonike, godina u dëmtua rëndë dhe u rrënua, duke lënë në këmbë vetëm minarenë, e cila sot qëndron si një simbol i mungesës së një vendi për falje.

Sipas banorëve, mungesa e një xhamie ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën shpirtërore të komunitetit. Ata shprehen se veçanërisht gjatë festave fetare, situata bëhet më e vështirë, pasi nuk kanë një vend ku të mblidhen për lutje.
“Ne nuk kemi ku të falemi. Detyrohemi të shkojmë në Ruzhdije, në Patos apo edhe në Fier. Për të moshuarit është shumë e vështirë, ndërsa për të rinjtë shpesh bëhet e pamundur,” thonë banorët, duke kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Komunitetit Mysliman në Fier shprehen se zgjidhja është e mundur, por kërkon angazhim nga vetë komuniteti. Myftiu i Fierit, Mikele Azizolli, thekson se banorët duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të formalizuar kërkesën e tyre.
Sipas tij, “është e nevojshme që banorët të organizohen, të mbledhin firma dhe të paraqesin një kërkesë zyrtare për ndërtimin e xhamisë. Deri tani një kërkesë e tillë nuk është depozituar.” Ai shton se ka edhe raste në zona të tjera ku xhamitë ekzistojnë, por nuk frekuentohen për shkak të mungesës së besimtarëve.

Banorët propozojnë një zgjidhje të përkohshme: pastrimin e një hapësire në fshat, konkretisht të zonës ku ndodhen rrënojat e një godine të vjetër, për ta kthyer atë në një ambient të përshtatshëm për falje pranë minaresë, deri në ndërtimin e një xhamie të re.


Megjithatë, mungesa e një kërkese zyrtare ka bërë që kjo çështje të mbetet ende pezull. Deri në një zgjidhje konkrete, besimtarët e Patos Fshatit vijojnë të përballen me të njëjtat vështirësi, duke udhëtuar kilometra të tëra për të ushtruar besimin e tyre./ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button