AKTUALITETTOP-NEWS

Belina nën ujë – Deputetja Haxhiu: “Dëmet për fermerët janë të pariparueshme”

FIER – Situata e rënduar nga përmbytjet ka goditur rëndë fshatin Belinë në njësinë administrative Zharrëz, ku qindra hektarë tokë të mbjella me grurë dhe jonxhë vijojnë të jenë nën ujë.

Deputetja e opozitës dhe përfaqësuese e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ishte paraditen e sotme në terren për të parë nga afër dëmet dhe shqetësimet e fermerëve.

Fermerët: “E kemi humbur prodhimin, dëmet janë të mëdha”

Banorët i thanë deputetes se situata është tepër alarmante, ndërsa prodhimet e tyre tashmë konsiderohen të humbura. Ata treguan se prej më shumë se një dekade lumi Seman nuk ka qenë në këtë gjendje, duke shkaktuar përmbytje të tilla të paprecedenta.

Sipas tyre, qindra dynymë tokë bujqësore tashmë janë të pakthyeshëm për këtë sezon, duke u kthyer në një goditje të rëndë ekonomike për familjet që jetojnë vetëm nga bujqësia.

Akuzat e banorëve: “Bankers ka penguar largimin e ujërave”

Banorët akuzojnë kompaninë “Bankers Petroleum” se ka devijuar apo penguar rrjedhën natyrale të ujërave të lumit, duke bërë që prurjet e mëdha nga reshjet intensive të mos largohen si më parë. Sipas tyre, ndërhyrjet e kompanisë në shtratin e lumit kanë bërë që uji të grumbullohet dhe të vërshojë në drejtim të tokave të tyre.

Deputetja Haxhiu u shpreh se do t’i çojë shqetësimet e banorëve në institucionet përkatëse dhe kërkoi që autoritetet të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar dëmin që po përshkallëzohet dita-ditës.

Në pritje të ndërhyrjeve, fermerët e Belinës mbeten përballë një sezoni bujqësor të humbur dhe dëmeve që, siç thonë vetë, “janë të pariparueshme”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button