Kreu i demokratëve Sali Berisha ka bërë publike kërcënimet që sipas tij janë bërë ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Berisha tha se kërcënimet janë dërguar nga burgu për Ahmetajn dhe familjen e tij që duhet të merret menjëherë në mbrojtje nga prokuroria.
“U informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt. Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit. Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit.
Kërcënimet me jetë ndaj familjes së Ahmetajt që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe zyrat e krimit të institucioneve shtetërore, dëshmojnë se Rama, Agaçi dhe Veliaj janë de facto dhe de jure, ligjërisht dhe penalisht, truri dhe ekzekutorët kryesorë të vjedhjes së shekullit. Ju bëj thirrje të gjithë hetuesve, prokurorëve, policëve, punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, që janë të interesuar në zbardhjen e të vërtetës rreth vjedhjes së shekullit, të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj. Të dërgojnë aty ku ndodhet ky i fundit hetues, duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë” tha Berisha.
Arben Ahmetaj është arratisur jashtë vendit pasi SPAK kërkoi arrestimin e tij falë zbulimit të bisedave dhe transaksioneve që kishte pasur me Klodian Mërtirin dhe Klodian Zoton.