Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është pyetur në emisionin “Now” në Euronews Albania se çfarë vendimi do të marrë nëse në 14 maj do të marrë më pak 620 mijë votat që mori PD me Lulzim Bashën në krye në zgjedhjet e prillit të kaluar.
Berisha tha se nuk mund të krahasohen lokalet me ato të përgjithshme sepse sipas tij në rastin e parë shkojnë më pak qytetarë për të votuar. “Për zgjedhjet e majit unë do t’u përmbahem rregullave. Në rregullat e përgjithshme asnjë lider nuk jep dorëheqje për zgjedhje lokale” – u justifikua Berisha.
“Nuk janë kurrë zgjedhjet lokale testi i liderit. Zgjedhjet lokale janë testi i kandidaturave në radhë të parë, por megjithatë unë kam vënë standardin që nuk ekziston kund ai standard. Kur të vijnë të përgjithshmet dhe ka humbje pavarësisht nga çdo rrethanë unë them: “Mirupafshim!”.
Sepse unë dua të mund Edi Ramën. Po të iki unë në zgjedhjet lokale, nuk e mund dot në zgjdhje të përgjithshme, unë dua ta mund në zgjedhje të përgjithshme. Dhe do ta mund 100%. Këtu do të jemi” – tha Berisha që më pas vuri “bast” se opozita do të fitojë në këto zgjedhje bashkinë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.