Nga Afrim Krasnuqi – Më 14 shkurt 2016 erdhi në Tiranë Xhon Kerri. Qëndroi disa orë me tri mesazhe kryesore, – “reformën në drejtësi është jetike”, “mbështetje për stabilitet rajonal” dhe “falenderime për kontributin e saj në luftën kundër Shtetit Islamik”. Takoi zyrtarë të lartë, të rinjtë, median dhe në mbrëmje udhëtoi drejt Konferencës së Sigurisë në Mynich në Gjermani.
8 vite më vonë, një tjetër sekretar shteti, Antony Blinken, thuajse në të njëjtën datë (15 shkurt) vizitoi Tiranën me tri mesazhe kryesore, – rikonfirmimin e partneritetit në linjën e agresionit në Ukrainë dhe dialogut ballkanik”, “nxitje të drejtësisë” dhe “falenderim për strehimin e emigrantëve afganë”. Takoi zyrtarë të lartë, të rinjtë, katër institucione të drejtësisë dhe në mbrëmje udhëtoi drejt Konferencës së Sigurisë në Mynich në Gjermani.
Ngjashmëria e dukshme në data, agjendë dhe mesazhe shpreh thelbin e marrëdhënieve midis dy vendeve nga këndvështrimi reciprok: Shqipëria proamerikane ndjehet me fat nga aleanca me SHBA dhe është përfituese e shumëfishtë e kësaj lidhjeve, SHBA sheh tek Shqipëria një vend aleat që i përgjigjet interesave gjeopolitike amerikane dhe inkurajon qasje strategjike për reforma funksionale.
Dy vendet nuk kanë asnjë mosmarrëveshje mes tyre dhe as çështje që ia vlejnë të debatohen në nivelet e larta. Politika e jashtme e Shqipërisë ndjek atë të SHBA dhe kjo e fundit e udhëheq atë.
Blinken është sekretari i gjashtë që vizitoi zyrtarisht Tiranën, një bilanc i nivelit të lartë më i madh sesa fuqi të rëndësishme europiane si Franca apo Britania e Madhe. Vizita erdhi në kuadër të përpjekjeve për qasje të re më strategjike amerikane dhe Perëndi[1]more ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, agjendës së anëtarësimit në BE, parandalimit të zgjerimit të krizës dhe ndikimeve ruse, nevojës për siguri e stabilitet të qëndrueshëm dhe brenda vendit, për kalimin nga reforma në drejtësi tek drejtësia funksionale.
Mesazhi simbolik përmes takimit me katër institucionet e reja të drejtësisë (GJK, GJL, ILD, SPAK) dhe jo organet e vettingut apo KLGJ/KLP si “qeveria e gjyqësorit/prokuorisë“, është mesazh funksionaliteti të katër shtyllave kryesore të drejtësisë: natyra kushtetuese e shtetit, normat ligjore, kontrolli i sistemit dhe hetimi ndaj korrupsionit në nivele të larta.
Tirana politike u shfaq më shumë përfituese sesa kontribuese e këtyre raporteve, duke mos shfaqur ende qasje strategjike leximi dhe reagimi mbi sfidat e politikës dhe sigurisë. Si çdo qeveri, kryeministër dhe opozitë tjetër edhe në rastin e Blinken të njëjtit e keqpërdoren vizitën dhe mesazhet për agjenda ditore personale. Rama nuk pikturoi as ndau pjata e pica të dedikuara me emrin / foton e tij si në Samitin me BE, por dhuroi librin shtetëror me pikturat e tij, si dhe konsumoi dy herë më shumë kohë për të komentuar gjendjen në botë sesa vetë përfaqësuesi i shtetit më të fuqishëm botë.
Opozita mbeti peng i “ballkonit„ ndërkohë që lajm i ditës në Tiranë nuk ishte mesazhi për reforma dhe një koncept të ri të nevojës për politika e qasje strategjike, por detajet e kortezisë, batutat, gara e fotove apo teoritë konspirative kë (s)takoi.
E papërgatitur për sfidat e rendit të ri gjeopolitik dhe nevojës për reforma për të mbyllur me sukses tranzicionin Tirana politike edhe njëherë iu gëzua mbështetjes amerikane duke zgjedhur rrugën më të lehtë, – ia besoi asaj zgjidhjen e problematikave (të veta) madhore. Blinken nuk bëri headline sepse vizita nuk kishte këtë synim, – ajo risolli të njëjtat mesazhe duke zhvendosur renditjen e prioriteteve. Imazhi i vizitës nuk u ishte mitingu (Bejker), parlamenti (Ollbrajt dhe Klinton), selitë politike (Kerry) apo Adriatik 3 (Poëell), por piramida si qëndër teknologjike. Në thelbin e saj, vizita përvecse një ishte një lajm i mirë për Shqipërinë, duke e rikonfirmuar atë si stacion amerikan në Ballkanin Perëndimor, dëshmoi edhe se SHBA po e zgjeron prezencën në sektorët strategjikë si mbrojtja, teknologjia e siguria kibernetike, energjitika dhe lufta ndaj krimit të organizuar.
Dhe në kohën e sotme të sfidave të shumta, rikthimi i SHBA në Shqipëri e rajon i jep shpresë vizionit të demokracisë dhe modelit të së drejtës, të cituara fillimisht nga Bejker (1991) perifrazuar nga Blinken (2024).