BOTA

“Bloomberg”: Trump po shqyrton planin për rrëmbimin e uraniumit të Iranit

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump, po shqyrton mundësinë e dërgimit të forcave speciale në terren për të sekuestruar uraniumin e Iranit, i cili është pasuruar afër nivelit të nevojshëm për një armë bërthamore. Lajmin e raportoi “Bloomberg News” duke cituar 3 zyrtarë diplomatikë të informuar për këtë çështje.

SHBA-të dhe Izraeli goditën objektet kryesore bërthamore të Iranit gjatë luftës 12-ditore qershorin e kaluar. Pasiguria në lidhje me uraniumin e pasuruar të Iranit po intensifikohet sepse kanë kaluar gati 9 muaj që kur inspektorët e Kombeve të Bashkuara verifikuan për herë të fundit vendndodhjen e tij, thanë zyrtarët.

“Ata nuk kanë qenë në gjendje ta gjejnë atë, dhe në një moment, ndoshta do ta gjejmë” – tha Trump të shtunën vonë, duke folur nga avioni “Air Force One”. “Ne nuk e kemi kërkuar, por është diçka që mund ta bëjmë më vonë.”

Një nga qëllimet e deklaruara të sulmeve ndaj Iranit ishte privimi i Republikës Islamike nga çdo aftësi për të prodhuar armë bërthamore. Megjithatë, sulmet ndaj objekteve vitin e kaluar e kanë komplikuar detyrën e zbulimit të uraniumit.

Sipas ekspertëve 450 kilogramët e uraniumit të pasuruar 60% nga regjimi i Iranit mund të konvertohet në armë të gatshme brenda disa javësh. Megjithatë çdo operacion për të sekuestruar materialin ka të ngjarë të kërkojë trupa amerikane ose izraelite në tokën iraniane, duke rrezikuar kalimin nëpër objekte nëntokësore të fortifikuara rëndë në mes të një lufte. Mbetet e paqartë nëse do të jetë një mision amerikan, izraelit apo i përbashkët.

Ka të ngjarë të ndodhë vetëm pasi të dy vendet të jenë të bindur se ushtria e Iranit nuk mund të paraqesë më një kërcënim serioz për forcat e përfshira.

Në një konferencë për shtyp të kongresit të martën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio u pyet nëse uraniumi i pasuruar i Iranit do të sekuestrohej. “Njerëzit do të duhet të shkojnë dhe ta marrin atë” – tha ai, pa specifikuar se kush. Një zyrtar i mbrojtjes izraelite tha se Trump dhe ekipi i tij po e shqyrtojnë seriozisht dërgimin e njësive të operacioneve speciale në Iran për misione specifike.

Një zyrtar amerikan tha se administrata ka diskutuar dy mundësi: heqjen e plotë të materialit nga Irani, ose dërgimin e ekspertëve bërthamorë për ta holluar atë në vend. Misioni ka të ngjarë të përfshijë operatorë specialë së bashku me shkencëtarë, ndoshta nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Sipas Axios, dy burime me njohuri për çështjen thanë se operacione të tilla ishin pjesë e një menuje opsionesh që iu paraqitën Trump para luftës. NBC News raportoi të premten se Trump ka diskutuar idenë e vendosjes së një kontingjenti të vogël trupash amerikane në Iran për qëllime specifike strategjike. Opsionet e Trump për Iranin përfshijnë edhe një bastisje të Forcave të Operacioneve Speciale në vendet bërthamore.

Zyrtari amerikan shpjegoi edhe sfidat që ka ky operacion: “Pyetja e parë është, ku është? Pyetja e dytë është, si arrijmë tek ai dhe si e marrim kontrollin fizik? Dhe pastaj, do të ishte një vendim i presidentit dhe Departamentit të Luftës, CIA-s, nëse donim ta transportonim fizikisht apo ta hollonim në ambientet e tij.”

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë thonë se pjesa më e madhe e rezervave ndodhet në tunelet nëntokësore të objektit bërthamor në Isfahan, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë midis Fordow dhe Natanz.

Përtej uraniumit, zyrtarë të administratës i thanë Axios se ka pasur edhe diskutime për kapjen e Ishullit Kharg, një terminal strategjik përgjegjës për afërsisht 90% të eksporteve të naftës bruto të Iranit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button