Nga Erisa Xhixho – Hapja e negociatave për Bosnje-Hercegovinën shënon një moment progresi për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Por, ky moment njëkohësisht na kujton sa i ngadaltë është progresi i Shqipërisë drejt familjes europiane.
Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk ka filluar hapjen e kapitujve me Bashkimin Europian dhe kjo nuk ndodhi as në mbledhjen e radhës së Këshillit Europian.
Proçesi i integrimit europian është mbi të gjitha një proces meritokracie dhe plotësimi të detyrimeve që më së pari i kemi ndaj qytetarëve tanë për të ndërtuar Europën në vendin tonë.
Ndaj dhe përgjegjësia është drejtpërdrejtë e qeverisë ne mos përmbushjen e detyrimeve ndaj BE.
➡️ Për vitin 2023, Shqipëria renditet e treta në botë për aplikimet e larta për azil në raport me popullsinë. Shqiptarët ikin nga Shqipëria njësoj siç ikën populli i një vendi në luftë
➡️ Të rinjtë dhe krahu i punës janë gjithnjë e më të paktë në numër, ndërsa shtohen pensionistët por nuk rriten pensionet
➡️ Korrupsioni i instaluar në çdo qelizë të sistemit bëhet pengesë për konkurrencën e lirë, ligjet bëhen me porosi të klientëve të qeverisë dhe miratohen me forcën e kartonave
➡️ Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon për përthithjen e fondeve të Bashkimit Europian
Sot ekonomia e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor duhet të afrohet me ekonominë e BE, ndaj dhe Procesi i Berlinit dhe Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh është një mundësi e jashtëzakonshme për të zhvilluar ekonomitë e vendeve tona.
Shqipëria duhet të përthithë sa më shumë fonde nga ky plan, por kusht thelbësor mbetet plotësimi i refomave, në të kundërt fondet e akorduara për vendin tonë do të rialokohen për vendet e rajonit dhe kjo do të ishte e pafalshme.
Ndaj qytetarët shqiptarë, të cilët sot vuajnë varfërinë, taksat e larta dhe papunësinë, kërkojnë që ekonomia të rritet. Mjaft më me propagandën boshe të arritjeve imagjinare të qeverisë.
Integrimi i vendit nuk është prioritet i kësaj qeverie, sepse ajo i druhet llogaridhënies dhe transparencës.
Integrimi i vendit është prioritet i qytetarëve që duan nje vend zhvilluar dhe konkurrues në ekonomi, shtet të së drejtës, demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut.🇦🇱🤝🇪🇺