AKTUALITET

Riaktivizohet zjarri në Drenie të Mallakastrës, ndërhyrja vështirësohet për shkak të terrenit

Zjarri në zonën e Drenies në Mallakastër është riaktivizuar gjatë ditës së sotme, kryesisht në pjesën veriore të vatrës, në drejtim të fshatit Drenie.

Për përballimin e situatës dhe normalizimin e gjendjes në terren janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të MZSH-së dhe 15 forca bashkiake, të cilët po operojnë nga toka.

Ndërhyrja po paraqet vështirësi për shkak të terrenit të thepisur dhe intensitetit të lartë të zjarrit, duke e bërë të vështirë afrimin e mjeteve dhe forcave pranë vatrave aktive

Forcat në terren vijojnë operacionin për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit në drejtim të zonave të banuara.

Flakët janë afruar me fshatin Drenie, kanë kaluar rrugën dhe kanë hyrë në territorin e Gjinoiqarës, në Bashkinë Patos, duke e bërë edhe më të vështirë situatën.

Janë vatra të mëdha zjarri, të cilat po marrin përmasa të mëdha. Zjarri ka përfshirë një masiv pyjor me pisha të vjetra disa dhjetëra vjeçare’ informon  nga terreni gazetari i Syrit, Xhemil Beharaj. 

Kjo ka bërë që në Drenie të mbërrijnë forca shtesë zjarrfikëse nga Albpetroli, Patosi dhe Fieri, si dhe trupa të tjera të angazhuara në operacion.

Paralelisht me ndërhyrjen nga toka, paraditen e sotme kanë mbërritur në zonë edhe dy avionë zjarrfikës, të cilët kanë nisur operacionin nga ajri për shuarjen e vatrave aktive.
Forcat zjarrfikëse e konsiderojnë terrenin tepër të vështirë për ndërhyrjen e automjeteve dhe afrimin pranë vatrave, ndërsa era po favorizon përhapjen e flakëve.

Mjetet zjarrfikëse dhe autobotet transportojnë ujin deri në pikat ku mund të afrohen. Më pas ndërhyrja vijon me pompa dhe pajisje të tjera, në përpjekje për të izoluar dhe shuar vatrat aktive. Në disa zona, forcat në terren po përdorin edhe mjete rrethanore për të frenuar përparimin e flakëve.

Në ndihmë të zjarrfikësve janë bashkuar edhe banorët e fshatit Drenie, të cilët po përpiqen të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit.

Banorët shprehen se shqetësimi i tyre kryesor është mbrojtja e ullishteve, tokave të mbjella dhe staneve, por edhe e banesave që mund të rrezikohen nëse flakët vijojnë të përhapen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button