Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, vendosi sot të regjistrojë koalicionin “Bashkë Fitojmë”, duke përjashtuar nga ky koalicion PD-në e Sali Berishës. Vendimi u morr nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili tha se regjistrohet koalicioni “Bashkë Fitojmë” por me parti pjesëmarrëse PL, PDK dhe PBDNJ.
Indrit Sefa, si përfaqësues i përhershëm i PD në KQZ, kërkoi nga komisioneri Celibashi të rrëzohej kërkesa për regjistrimin e këtij koalicioni, me argumentin se PD, e grupimit të Alibeajt, nuk ka bërë kërkesë për asnjë bashkëpunim në koalicion.
Ndërkohë përfaqësuesi ligjor në KQZ i PD së Berishës tha se Sefa nuk kishte legjitimitetin për të bërë kërkesa.
“Jemi para të njëjtës situatë sikurse ishte ajo e zgjedhjeve të 6 marsit. Ajo që thotë përfaqësuesi i PD (Indrit Sefa) që PD nuk është pjesë e asnjë koalicioni, mungon vullneti i PD për të qenë pjesë e një koalicioni. Nuk shoh shkak për të marrë vendim të pjesshëm apo të ndërmjetëm për të bërë plotësim dokumentacioni. Në analizë të të gjitha cfarë përmenda, do regjistrojmë koalicionin Bashkë Fitojmë por me parti pjesëmarrëse PL, PDK dhe PBDNJ. Me shkronjë nistore të këtij koalicioni BF. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, deklaroi Celibashi.