Saturday, July 27, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËÇfarë po ndodh me "tigrin" Arben Ahmetaj?!

Çfarë po ndodh me “tigrin” Arben Ahmetaj?!

Pasi u shkarkua në mënyrë të papritur si zëvendëskryeministër, Arben Ahmetaj nga dje nuk është më as drejtuesi politik i qarkut Vlorë.

Nëse për postin qeveritar mund të pranohej deri diku varianti i kryeministrit se nuk është më priroritet Rindërtimi pas tërmetit, shkarkimi edhe nga posti politik në Vlorë tregon se re të zeza po lëshohen nga PS mbi ish-numrin dy në qeveri si dhe njeriun kryesor që rrinte dhe punonte pranë Edi Ramës.

Diçka serioze mund të ketë ndodhur mes kryeministrit dhe ish-zëvëndësit të tij.

Arben Ahmetaj nuk është deputet dosido. Ai njeh mirë ekonominë, financat dhe lidhjet rajonale, sepse disa herë është parë të shkojë te mbretëria e Presidentit turk Erdogan.

Arben Ahmetaj si rregull nuk shkel kollaj në dërrasë të kalbur, sepse e njeh mirë se si “luani”, të kafshon dhe mbetesh në shkretëtirë i vetëm e duke lënguar.

Nëse në fillim me largimin nga qeveria u quajt si një goditje me putër nga “luani” që drejton mazhorancën dhe vendin, ndërsa nga mbrëmë kur e palosi edhe nga drejtimi politik në Vlorë, tregon se “luani” e ka kafshuar fort.

Tashmë Arben Ahmetaj është lënë i vetëm nën stuhitë si tornado të SPAK-ut dhe në ftohtësinë e deputetëve të PS, të cilët dikur i silleshin rrotull sa herë hynte në kafenenë e parlamentit.

Nëse është puna e inceneratorëve, siç akuzon opozita, atëhere Arben Ahmetaj nuk është i vetëm. Duhet të marrë me vete edhe shumë figura të tjera të PS.

Por nëse Arben Ahmetaj ka luajtur me “dy porta”, siç hamendësohet, duket si vështirë që ai të ishte nën strehën e luanit dhe të hante bukë te “çakenjtë”.

Nëse largimin e tij e ka vendosur Engjëll Agaçi, siç qarkullon në mjediset e PS-së, prapë duket se diku ka futur “lugën” pa leje dhe ndaj e kanë sikterisur, pavarësisht se Arben Ahmetaj nuk është nga ata që e ha “tasin” i vetëm.

Të jetë se amerikanët e kanë në listën e “nongratave” ndaj e larguan me shpejtësi nga gjithçka: nga qeveria, nga partia dhe e kanë lenë si dikur Koço Kokëdhimën, derisa edhe mund ti heqin edhe mandatin e deputetit; edhe kjo mbetet të verifikohet nga lista e emrave që DASH do të publikojë brenda këtij viti.

Asnjëri nuk e parashikonte një fund të tillë, momental, të Arben Ahmetajt.

Ish-zv/kryeministri dhe ish-drejtuesi politik i Vlorës mund të kthehet edhe në ish-deputet, gjithnjë nëse hakmarrja e “luanit të Surrelit” akoma nuk ka mbaruar.

I madhi i qeverisë dhe shefi i mazhorancës ka dhënë prova bindëse publike që kur të fut në shenjëstër, ke mbaruar!

Vetëm një koleg i yni, kurajoz dhe europianist, ia doli të përballet me kryeministrin fuqiplotë. Më pas ai preferoi vetëlargimin.

Ndërsa Koço Kokëdhima mori udhën “për Janinë”!

Sajmir Tahiri, ish-ministri më i suksesshëm i PS, përfundoi në burg.

Ditmir Bushati, një nga bushatllinjtë me emër në epokën digjitale, mori goditje mu në ballë si dikur në rrethimin e Shkodrës nga turqit. Por gjeti qetësinë duke qëndruar larg “oborrit”. E së fundmi po studion se çfarë mësimesh vijnë nga Italia!

Koka e “varur” e Arben Ahmetaj endet nëpër mazhorancë, ku herë-herë troket te zyra e Taulant Ballës.

Kush e ka radhën?!

Të presim!/ KJ

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME