
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka komentuar largimin e Elisa Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme, duke pretenduar se bëhet fjalë për një eliminim politik dhe jo për një rikonfigurim rutinë të qeverisë.
I ftuar në një intervistë televizive, Këlliçi deklaroi se shkarkimi i Spiropalit lidhet me lëvizjet e saj në arenën ndërkombëtare, duke përmendur edhe anëtarësimin e saj në “China Club” në Berlin.
Sipas tij, bëhet fjalë për një forum me ndikim të madh në marrëdhëniet politike dhe lobuese në Gjermani, ku zhvillohen kontakte me deputetë të Bundestagut dhe zyrtarë të lartë në Berlin.
“China Club është një vend shumë i njohur për ata që merren me politikë të jashtme dhe për ata që kanë kontakte me deputetë gjermanë apo me funksionarë shtetërorë në Berlin”, u shpreh Këlliçi.
Ai pretendon se më herët në këtë klub kishte akses edhe kryeministri Edi Rama, por sipas tij tashmë ky akses nuk ekziston më.
Këlliçi shtoi se anëtarësimi i Spiropalit në këtë forum, pas largimit nga një grup tjetër lobimi brenda Partisë Socialiste, mund të ketë ndikuar në prishjen e balancave politike brenda mazhorancës.
Sipas deputetit demokrat, vendimi për largimin e Spiropalit është marrë personalisht nga kryeministri Rama dhe nuk lidhet me ndikimin e figurave të tjera në qeveri.
“Vendimmarrjen e merr Edi Rama. Në fund të ditës është ai që vendos”, u shpreh Këlliçi.ETF investment strategies
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të parlamentit, duke akuzuar mazhorancën se po tenton të kufizojë hapësirat e opozitës përmes ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit dhe uljes së kohës së fjalës për deputetët.











