POLITIKË

 Çmimi i naftës/ Braçe: Model tregu pa transparencë, kartel që vendos çmimet njësoj

Shtrenjtimi i çmimit të karburantit menjëherë pasi nisi lufta në Lindjen e Mesme sipas deputetit të PS-së, Erion Braçe nuk tregon ndikimin real të konfliktit, por janë dozat e abuzimit që reflektohen menjëherë. Braçe thekson se kompanitë shqiptare nuk furnizohen direkt në bursë, por varen nga një kompani që e sjell karburantin në depozitat në Porto Romano, ndërsa çmimi i vihet kur produkti shitet në treg për konsumatorët. Nëse nafta është blerë me 70 dollarë fuçia në tregun e huaj, në momentin që del në treg, i vihet çmimi i bursës së ditës që mund të jetë për shembull 90 dollarë.

“Unë nuk blej jashtë, por blej tek brokeri, i cili paraqitet në Porto Romano e derdh naftën në depozitat e një subjekti tregtar, cilido që është nga këto brendet e mëdha që ju shihni të karburanteve dhe blerja ime e naftës që unë kam në depozitë dhe shitja ime pastaj tek subjektet me pakicë apo brenda pikave të mia ndodh në një ditë tjetër, në një ditë të caktuar. Ky model tregu bën që të reflektohet shumë shpejt çdo ndryshim çmimi në bursë ndërkombëtare dhe të reflektohet shumë ngadaltë çdo ndryshim çmimi në rënie në bursën ndërkombëtare. E kemi jetuar këtu, e kemi hasur këtu këtë si situatë”, thotë Braçe për ”Report TV”.

Për të tregu nuk ka transparencë përsa kohë të gjithë e ngrenë çmimin njëkohësisht në të njëjtën vlerë. Sipas Braçes, tregu i hidrokarbureve funksionon si kartel që cakton të njëjtat çmime brenda së njëjtës ditë dhe së njëjtës orë.

“Pra thënë këtë ajo që duhet atakuar është modeli i tregut që nuk ofron transparencë, nuk ofrohen konkurrencë, sepse të gjitha ndryshojnë çmimin brenda një dite dhe kanë të njëjtin çmim në tabelë, të njëjtin përveç pikave të bardha. Po të gjitha pikat e brenduara kanë thuajse të njëjtin çmim në tabelë. Nuk ndryshon me asnjë shpërndarje dhe që do të thotë ky model tregu ka zhdukur konkurrencën brenda tregut të hidrokarbureve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Thënë këtë duhet goditur modeli i tregut. Duhet shembur modeli i tregut që ne kemi”, thotë Braçe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button