Darëzeza çel sezonin veror, mijëra pushues në bregdetin e Fierit: Festë, muzikë dhe surpriza nga Pishë-Poro

Fieri ka çelur zyrtarisht sezonin turistik me një atmosferë festive dhe aktivitete spektakolare në bregdetin e Darëzezës. Qindra qytetarë fierakë, por edhe vizitorë nga qytete të ndryshme të vendit, iu bashkuan festimeve të organizuara përgjatë fundjavës, duke shijuar koncertet me muzikë live, garat me kuaj, aktivitetet sportive dhe ndeshjet e boksit.
Pjesëmarrja e lartë është konsideruar si një sinjal mjaft pozitiv për sezonin veror. Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, u shpreh se përveç atmosferës festive, bashkia ka marrë masa konkrete për garantimin e një sezoni turistik sa më të organizuar dhe të sigurt. Sipas tij, krahas plazheve të njohura të Semanit dhe Darëzezës, surpriza e këtij sezoni pritet të jetë zona e Pishë-Poros, e cilësuar si një nga perlat natyrore të bregdetit të Fierit.
Në të gjithë vijën bregdetare të Fierit operojnë rreth 100 subjekte private, ndërsa këtë sezon do të jenë funksionale edhe 6 plazhe publike, të monitoruara nga roje bregdetare për sigurinë e pushuesve.








Edhe drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, theksoi se qeveria dhe pushteti vendor kanë bashkëpunuar ngushtë për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për turistët. Sipas saj, bregdeti i Fierit po tërheq çdo vit e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj falë investimeve dhe promovimit të zonës.
Pushuesit që kishin zgjedhur Darëzezën për fundjavën vlerësuan pastërtinë e rërës, qetësinë dhe çmimet e përballueshme, duke e konsideruar bregdetin e Fierit si një alternativë ekonomike dhe tërheqëse krahas plazheve të jugut.
Aktivitetet festive në Darëzezë do të vijojnë gjatë gjithë fundjavës me mbrëmje speciale dhe performanca nga artistë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova, duke e kthyer zonën në një nga destinacionet më të frekuentuara të nisjes së sezonit veror./ALB365









