Prezantuesi britanik i BBC-së, Michael Mosley mund të ketë vdekur pak pasi u ndie keq teksa po shëtiste i vetëm nëpër ishullin grek të Symit. Kështu deklaroi policia lokale për CNN. Mosley, një prezantues televiziv që u bë popullor për llojet e dietave, ishte me pushime kur u zhduk të mërkurën e javës së kaluar.
Pas zhdukjes së tij u iniciua një kërkim i jashtëzakonshëm disaditor që përfshiu policinë, shërbimin zjarrfikës, rojet bregdetare dhe vullnetarë. Trupi i tij u gjet të dielën, rreth 2 orë në këmbë nga plazhi Agios Nikolaos, nga ku ai u nis për një shëtitje. Policia beson se ai ndërroi jetë rreth orës 16:00 të ditës kur ai u zhduk, tha për CNN zëdhënësja e policisë greke Konstantia Dimoglidou.
Një autopsi fillestare doli në përfundimin se Mosley vdiq nga shkaqe natyrore dhe se nuk kishte lëndime në trupin e tij që mund ta kishin shkaktuar vdekjen e tij. Dimoglidou i tha CNN se policia nuk beson se Mosley qëndroi ulur për shumë kohë përpara se të ndërronte jetë.
Trupi i Mosley u gjet kur një varkë që transportonte kryetarin e bashkisë së ishullit, Lefteris Papakalodoukas dhe disa gazetarë e pikasën atë të shtrirë me fytyrë lart pranë një gardhi. 67-vjeçari kishte drejtuar disa emisione dhe kishte shkruar edhe disa libra.