SPORT

Derbi i takon Arsenalit, Broja pa fat me Burnleyn

Arsenali ka reaguar ndaj presionit të Manchester City-t, duke siguruar një fitore 2-0 në derbin londinez kundër Brentfordit dhe duke rimarrë një avantazh prej pesë pikësh në krye të Premier League. Në “Emirates Stadium”, skuadra e Mikel Artetës dominoi takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 11-të falë golit të shënuar nga Mikel Merino. Gjatë gjithë ndeshjes, “Topçinjtë” menaxhuan me qetësi lojën dhe nuk lejuan që Brentford të krijonte rrezik real, duke e mbajtur gjithçka nën kontroll, veçanërisht në pjesën e dytë.

Fitorja u vulos përfundimisht në minutat shtesë, kur Bukayo Saka, i futur në lojë si zëvendësues në minutën e 61-të, shënoi golin e dytë në minutën e 91-të për të fiksuar rezultatin final 2-0. Ky triumf e çon Arsenalin në kuotën e 33 pikëve, duke u shkëputur sërish nga ndjekësit e Manchester City në garën për titullin kampion.

Në ndeshjet e tjera, skuadra e Burnleyt, ku luan sulmuesi i kombëtares shqiptare Armando Broja, pësoi një humbje në shtëpi përballë Crystal Palace me rezultatin 0-1. Goli i vetëm u shënua nga Daniel Munoz. Broja u aktivizua në minutën e 61-të në vend të Callumit, por nuk arriti të ndryshonte fatin e ndeshjes për ekipin e tij. Po ashtu, Nottingham Forest siguroi një fitore minimale 0-1 në transfertë ndaj Wolverhampton me gol të Igor Jesus, ndërsa Aston Villa fitoi 3-4 në një ndeshje dramatike kundër Brighton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button