AKTUALITETPOLITIKË

Dështon tenderi/ Malaj: Porto Romano duhet menduar me vizion afatgjatë, jo me vendime të nxituara

Tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano ka rënë zyrtarisht, pasi operatori i vetëm i mbetur në garë nuk paraqiti një ofertë financiare. Ky zhvillim vjen pas një sërë debatesh publike, ku ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka ngritur alarmin për rëndësinë strategjike të këtij projekti dhe rreziqet që i kanoseshin vendit.

Në një intervistë për SYRI TV, me gazetarin Edvin Parruca, Malaj i bëri thirrje qeverisë të ndalonte shpalljen e fituesit, duke e shoqëruar kërkesën me një sërë argumentesh mbi rëndësinë gjeostrategjike të porteve. Sipas tij, portet nuk janë thjesht infrastrukturë për ankorimin e anijeve, por nyje kyçe që ndikojnë sigurinë kombëtare, lidhjet ekonomike dhe aleancat ndërkombëtare. Duke cituar mendimtarin e njohur të ekonomisë, Jacques Attali, Malaj thekson se historikisht, qytetet-porte kanë qenë “gurët kilometrikë” të zhvillimit ekonomik.

Ai argumenton se portet, hekurudhat dhe aeroportet janë asete strategjike për çdo vend, pavarësisht regjimit politik. “Portet janë vizion, nuk janë viza,” u shpreh ai, duke nënvizuar se menaxhimi i tyre kërkon një qasje afatgjatë dhe jo vendime të nxituara.

Malaj ngre shqetësimin se projekti i propozuar për Porto Romano ishte i mangët, duke cituar ekspertë sipas të cilëve sipërfaqja e parashikuar për menaxhimin e anijeve ishte katër herë më e vogël se ajo e portit aktual. Kjo, sipas tij, do të cenonte rëndë potencialin e Shqipërisë për t’u shndërruar në një qendër të rëndësishme rajonale (hub) për shërbimet portuale në Ballkanin Perëndimor.

Ai paralajmëroi për nevojën që Shqipëria “të mbrohet nga interesat e vendeve jomiqësore, që duan ta mbajnë Shqipërinë sa më shumë të pazhvilluar”. Në këtë kontekst, ai përmendi faktin se Korridori 8, ku bën pjesë Shqipëria, është lënë pas dore nga Bashkimi Europian në favor të Korridorit 10, që lidhet me Serbinë, për shkak se kjo e fundit ka partnerë strategjikë më të fortë. Rënia e tenderit për Porto Romano e lë të hapur debatin për të ardhmen e një prej aseteve më të rëndësishme strategjike të vendit.

Malaj:

Pra, ashtu siç theksove dhe aty, Jacques Attali është një nga mendjet e ndritura të ekonomisë në botë, jo vetëm në Francë. Kam pasur fatin ta takoj tre herë drejtpërsëdrejti. Dhe ai ka bërë një studim shumë të hollësishëm, me shumë shifra bindëse, për kalimin e zhvillimit ekonomik në shekuj, duke arritur në konkluzionin që qytetet porte janë, si të thuash, ata gurët kilometrikë që ka përcaktuar zhvillimin. Dhe po ta shikojmë, portet një dhe lumenjtë e lundrueshëm dy, janë zonat më të zhvilluara të një vendi. Nga ana tjetër, porti, hekurudha, aeroporti hyjnë në objekte strategjike, në çdo vend, pavarësisht nga forma e regjimit. Edhe para viteve ’90 këto ishin, ishin në këtë klasifikim. Nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për investime afatgjata, unë kam një përvojë konkrete që e kam jetuar, se mësohet duke duke punuar, kur kam përfaqësuar Shqipërinë në konferencën e Bankës Islamike në Burkina Faso.

Të gjitha rrugët ishin të gjëra sa për tetë apo 10 korsi. Vendet e porteve ishin të gjëra, vendet e aeroporteve dhe pyes zëvendësministren e Financave dhe i them, ‘Si ka mundësi?’. Por ata kanë qenë koloni franceze dhe kolonitë i përcaktonin sektorë strategjikë. Pra, nuk kishte më ndërtime pa leje, nuk kishte nevojë të prishje diçka. Ato ishin konturuar të tilla me ligj, me harta, me të gjitha dhe në momentin që vjen një mundësi zhvillimi, ti i apdejtoje ato nga vend, nga rrugë me pluhur në rrugë me asfalt të cilësisë së lartë. Dhe fatmirësisht, Burkina Faso ka një president tani që po bën maksimumin si njeri i thjeshtë për ta ngritur infrastrukturën dhe thjeshton gjithë ato kosto. Ne e dimë sa kosto paguajmë ne nga fakti që infrastruktura jonë nuk i ka të konturuar, janë në ligj por nuk zbatohen, dhe për të bërë një zgjerim rruge apo për të zgjeruar një aeroport apo për një hekurudhë, ti do të kesh disa konflikte civile apo gjyqësore. Kështu që është tepër e rëndësishme.

Nga ana tjetër, unë kam parasysh në vitin 2006, kur kam qenë për studime në Amerikë, u hap një debat për portin e New York-ut. Dhe Hillary Clinton ishte senatore e New York-ut, ndërsa Bill Clinton sapo kishte dhënë një leksion në një nga vendet e Lindjes së Mesme dhe kishte marrë 300,000 dollarë për një orë e gjysëm fjalim. Dhe ai bënte një lloj lobingu, ndërsa e shoqja tha ‘jo’, sepse në qoftë se i japim menaxhimin një vendi nga Lindja e Mesme, rritet risku potencial. Që do të thotë që në qoftë se në kushte normale një port kontrollon 5% të kontejnerëve, do kërkojë 20%. Por në kohën që ti shkon katër herë më shumë në kontroll, ti humbet konkurrencën. Pra, portet janë gjë strategjike, janë vizion, nuk janë viza. Kështu që në këtë aspekt, në këtë aspekt ne kishim shqetësimin, jo unë, vetëm unë, ka dhe shumë njerëz të mirë në Shqipëri, që çfarë po ndodh me një nga objektet strategjike.

Sepse Shqipëria ka të gjitha mundësitë, nga pozicioni gjeografik, që të jetë një hub, një qendër e madhe për shërbimet portale. Sigurisht që kemi konkurrencë Pireun, kemi konkurrencë porte përreth, por në Ballkanin Perëndimor jemi mundësia më e mirë për të lehtësuar, si të thuash, përfshirjen e Shqipërisë në korridoret europiane, që të kalojnë më shumë mallra, që të ketë më shumë të punësuar, që të rriten investimet edhe në infrastrukturën e logjistikës së porteve.

Kështu që ky projekt cënonte rëndë atë. Në qoftë se sipërfaqja e parashikuar për menaxhimin e anijeve, sipas ekspertëve, ishte katër herë më e vogël se porti aktual, paralajmërimi është serioz, është kritik dhe ne duhet të mbrohemi nga interesat e vendeve jo miqësore, që duan që ta mbajnë Shqipërinë sa më shumë të pazhvilluar. Kjo nuk është diçka thjesht patriotike si nga Vlora, por në një analizë të fundit që i bëra për korridorin 10, që mbështeta nga Serbia, dhe korridorin 8 ku jemi ne, Maqedonia, Bullgaria e të tjera, për faktin se Serbia ka partnerë strategjikë më të fortë se Shqipëria, Europa ka mbështetur me prioritet korridorin 10 dhe e ka lënë pas dore korridorin 8.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button