Një sipërfaqe prej 16 ha e mbjellë me grurë, është përfshirë nga flakët mesditen e sotme në fshatin Topojë në Fier.
Sipërfaqja është në pronësi të një prej kultivuesve më të mëdhenj tëe grurit në zonë, Mili Sako.
Sipërfaqja është shkrumbuar në vetëm pak minuta, edhe për shkak se era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, duke rrezikuar edhe një stan bagëtish që ndodhet aty pranë.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë zjarrfikësja e cila ka bërë të mundur shuarjen e flakëve. Për fermerin Sako dëmi ekonomik është i konsiderueshëm, teksa nuk beson se mund te jetë një zjarrvënie e qëllimshme.
Fermeri Sako këtë sezon ka kultivuar 45 ha sipërfaqe të mbjellë me grurë, ndërkohë që gruri më cilësor tashmë është shkrumbuar. Sako apelon për të gjithë fermeret që të kenë kujdes të shtuar gjatë djegies se hamullave pasi një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë dëme të mëdha.