Saturday, April 27, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËDO T'I MBETEMI PËRHERË BORXH TEODOR VASOS!

DO T’I MBETEMI PËRHERË BORXH TEODOR VASOS!

Nga Tedi Blushi – Një prej yjeve më të shndritshëm të futbollit korçar dhe kombëtar, mjeshtri Teodor Vaso nga sot do të shkëlqejë lart në qiell, krah yjeve të pashuar korçarë si Pilo Qirinxhi, Teli Samsuri, Tato Bimbli, Veteran Topçiu e shumë të tjerë, që nuk janë më midis nesh, por kujtimi i të cilëve do të mbetet i paharruar.

Largimi në jetën e përtejme i legjendës së “Skënderbeut”, “Partizanit” dhe Ekipit Kuqezi është përjetësim i arritjeve të tij të jashtëzakonshme dhe trashëgimisë të vyer sportive që la pas.

Në qytetin, ku lindi, rriti dhe perfeksionoi talentin e spikatur sportiv, Teodor Vason e njihnin të gjithë, sapo t’a shihnin apo t’ia dëgjonin emrin!

Ai ishte dhe do të mbetet Krenaria e Korçës!

Kampion në futboll dhe kampion i qytetarisë korçare, ai do të kujtohet me respekt për gjithçka bëri për të lartësuar emrin e qytetit dhe flamurin kombëtar në arenat më prestigjioze sportive botërore.

Falë cilësive njerëzore, aftësive dhe dhuntive të rralla sportive, shpirtit të lartë të garës dhe sakrificës, por edhe karakterit, forcës morale dhe vlerave qytetare, si mësues dhe trajner i përkushtuar i brezave të futbollistëve të rinj, Teodor Vaso ishte Yll jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

Si futbollist profesionist i stilit modern, që revolucionarizoi në vitet ’60-’70 rolin e mbrojtësit të krahut duke e transformuar atë edhe në sulmues taktik, ai mund të luante dhe të shkëlqente në çdo skuadër elitare europiane të kohës.

Personalitet i padiskutuar në fushën e blertë, me teknikë racionale, mbrojtës i kompletuar, i sigurt, luftarak dhe i pakalueshëm, me një konstrukt dhe rezistencë fizike për t’u admiruar, i disiplinuar në veprimet taktike dhe i befasishëm në daljet aktive në sulm, i saktë dhe i ndershëm në ndërhyrje dhe preciz në shënim golash, ai ishte një shembull i madh frymëzimi për brezat e sportistëve të rinj.

Arti i lojës magjike të Teodor Vasos me topin ishte një burim konstant emocionesh të forta për tifozët, duke i mbushur me gëzim dhe optimizëm në një periudhë të errët dhe të vështirë për Shqipërinë e aso kohe.

Pjesë e pandarë një plejade të artë lojtarësh të viteve ’60-’70, ai shkroi së bashku me ta një nga faqet më të ndritura të historisë së futbollit kombëtar, për të cilën i meritoi duartrokitjet dhe nderimin më të madh.

Ndaj dhe ikja e tij pa kthim la pas shumë pikëllim dhe dhembje, pasi të shumtë janë tifozët personalë dhe dashamirësit e tij.

Sidomos pas barazimit historik 0-0 në vitin 1967, të Shqipërisë me Nënkampionen e Botës R.F.Gjermane, tek Teodor Vaso u përshtatën më së miri vargjet frymëzuese: “Lumja ti moj Korçë lule, që le pas shoqet e tua, si trimi në ballë u sule, ta paçim përjetë hua!”.

Sepse i dëmtuar rëndë për rreth 70 minuta, ai qëndroi i pathyer përballë kundërshtarëve gjermanë, si hero i vërtetë, duke u shndërruar në atë kohë në një legjendë të gjallë për shembullin e sakrificës, pasi nuk braktisi ekipin por vazhdoi lojën, duke u skalitur me këtë model frymëzues në memorien sportive kombëtare dhe jo vetëm.

Protagonist në atë ndeshje historike, i paharruari Ramazan Rragami e kujtonte kolegun Vaso duke theksuar se: “Megjithëse Todoja kishte pësuar një traumë të fuqishme, ai qëndroi në lojë, pranë shokëve të ekipit duke u bërë një shembull i sakrificës deri në mbarimin e ndeshjes”.

I madhi Mexhit Haxhiu ka shkruar se “Në ndeshjen e Kupave të Europës, Shqipëri – R.F.GJ 0-0, Teodor Vaso u kthye në personazh historik, protagonist i asaj ‘Ngjarje të Madhe’, jo vetëm për kontributin në lojë, por edhe për sakrificën tij, i dëmtuar rëndë, ai nuk doli nga fusha”.

Ndërsa komentatori i papërsëritshëm, Ahmet Shqarri kujton: “Ngjarja e atij viti të largët 1967 në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ në Tiranë kundër Gjermanisë së famshme të trajnerit Helmut Shën do të mbetet e paharrueshme për të gjithë të pranishmit, por edhe një lloj embleme për Teodor Vason, kur thuajse gjatë gjithë lojës u detyrua të luante i fashuar në pjesën më të madhe të trupit, duke përballuar në një gjendje të pabesueshme shëndetësore atë lojë të suksesshme, që sot e kësaj dite vazhdon të mbetet si një nga mrekullitë e futbollit shqiptar”.

Barazimi historik me R.F.Gjermane në 1967 dhe skualifikimi i saj e futën Shqipërinë e izoluar për herë të parë në hartën e futbollit europian për të vijuar me ndeshjet e “17 Nëntorit” me Ajaksin e shumë surpriza të tjera të pabesueshme më parë.

Për herë të parë brezi i papërsëritshëm i Teodor Vasos, Koço Dinellës dhe shokëve të tyre lanë pas inferioritetin që vinte nga izolimi e prapambetja e regjimit absurd dhe me talentin e jashtëzakonshëm dhe vetëbesimin e tyre i treguan botës se Shqipëria kishte vendin e saj në Europë në futboll.

Vetëm 15 vite më vonë në Trir të Gjermanisë do të përsëritej një barazim historik midis Kombetarëve Shpresa të Shqipërisë dhe Gjermanisë, që jo vetëm do të skualifikonte gjermanët, por do të kualifikonte Shpresën e Shqipërisë me në krye Demollarin në 8 ekipet më të mira të Europës.

Ishte koha kur Shpresa që drejtohej nga trajneri i paharruar Ramazan Rragami do të sillte një Shqipëri jo vetëm sfiduese por edhe fituese.

Ishte pikërisht ky trajner i madh i cili kishte qenë protagonist i Kombëtares të barazimit historik me R.F.Gjermane në 17 dhjetor 1967 si titullar në fushën e blertë.

Ishte kjo Shpresë që solli një Kombëtare tjetër e cila mundte Belgjikën, barazonte me Poloninë dhe synonte të kualifikohej në botëror.

Gjatë karrierës së pasur futbollistike, legjenda Teodor Vaso shënoi 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ishte përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombëtare, 18 ndeshje me Kombëtaren Shqiptare, 15 ndeshje me “Partizanin” dhe 3 me skuadrën korçare.

“Për talentin e rrallë dhe cilësitë e jashtëzakonshme si futbollist; për kontributin e spikatur në historinë e ekipit ‘Skënderbeu’ dhe në veçanti si titullar i Ekipit Kombëtar”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e dekoroi me titullin e lartë shtetëror “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Për kontributin dhe trashëgiminë e tij të vyer për futbollin shqiptar, ai i ka merituar më shumë vëmendje institucionale, sidomos nga Qeveria që nuk ia dha kurrë, por edhe nga Bashkia e Korçës që duhet ta shpallë “Qytetar Nderi”, një rruge t’i vendosë emrin e tij ose t’i ndërtojë një bust pranë stadiumit “Skënderbeu”!

Do t’i mbetemi borxh përherë Teodor Vasos, kësaj figure të madhe historike të qytetit të Korçës, që i dha dritë futbollit shqiptar kur vendi ishte në errësirë.

Ndaj rrënjët e sukseseve të sotme të futbollit tonë duhen kërkuar te vlerat e atij brezi të papërsëritshëm të Teodor Vasos me shokë, që e kanë vendin në Panteonin e Nderit e Vlerave Kombëtare dhe që meritojnë vëmendjen dhe nderimin dinjitoz shtetëror.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME