
Lapsi.al mëson se në takimin e radhës të grupit COELA është diskutuar një raport i ndryshuar i Presidencës së BE-së ku vendet anëtare kanë shprehur sërish rezerva.
Ajo që po ndodh në Shqipëri duket se po shihet me lupë në Bruksel. Është tashmë e qartë se bllokimi i imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku është mbajtur shënim nga vendet më të rëndësishme të Unionit, të cilat kanë caktuar “detyra shtesë” për qeverinë e Edi Ramës për të vijuar rrugën e procesit të integrimit.
Lapsi.al mësoi se këtë të premte (17 prill) në Bruksel u zhvillua një tjetër takim teknik i Grupit Punues për Zgjerimin dhe Vendeve në Negociata, i njohur si COELA ku në tryezë ishte një draft për Pozicionin e Përbashkët të BE-së (Draft Common Position) për miratimin e udhërrëfyesve të GrupKapitullit të Parë për Shqipërinë.
Ky GrupKapitull, i quajtur “Themeloret”, është një nga më të rëndësishmit pasi përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike. Një burim i brendshëm zbuloi për lapsi.al detaje nga diskutimet duke nënvizuar se disa vende të BE-së nuk kanë dhënë dakordësinë për draftin, edhe pse tashmë janë zhvilluar disa mbledhje.
Sipas burimit të lapsi.al, Presidenca e BE-së prezantoi në takim një draft të rishikuar të IBAR, i cili ishte ndryshuar në përputhje me komentet e Shteteve Anëtare të bëra në takimet e kaluara.
“Komisioni vlerësoi se teksti i kompromisit është i pranueshëm në formën e tij aktuale, ndër të tjera sepse disa tema adresohen më mirë në kapituj të tjerë specifikë, për të mos mbingarkuar kërkesat e Grupit të Parë” – u shpreh burimi për lapsi.al.
Duke qenë se teksti u ishte dorëzuar përfaqësuesve të shteteve anëtare vetëm një mbrëmje më parë, ata nuk kishin ende qëndrime përfundimtare. Megjithatë në diskutimin që u zhvillua, përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Polonisë, Austrisë, Holandës, Belgjikës, Luksemburgut, Greqisë, Estonisë dhe Suedisë konstatuan gjerësisht se teksti me detyrat për qeverinë e Tiranës “kishte lëvizur në drejtimin e duhur”.
Megjithatë, Italia, Estonia dhe Hungaria vlerësuan se drafti ishte tepër kërkues dhe i detajuar, veçanërisht në krahasim me Pozicionin e Përbashkët të Malit të Zi.
I njëjti burim zbuloi se vende të rëndësishme si Holanda, Gjermania dhe Franca patën propozime për ndryshime edhe në disa tema të tjera; ndërsa për Austrinë dhe Poloninë ishte e rëndësishme gjetja e një ekuilibri më të mirë për kriteret ekonomike (kriteret e mbylljes).
Në këtë pikë të diskutimit, Presidenca e Bashkimit Europian u kërkoi Shteteve Anëtare të dërgojnë komentet e reja me shkrim deri në mesditën e datës 22 prill. Drafti për Shqipërinë do të jetë sërish në rendin e ditës të COELA-s në mbledhjen e 28 prillit.
Qëllimi është që të gjendet një tekst kompromisi midis Komisionit dhe Vendeve Anëtare mbi detyrat që i duhen lënë Shqipërisë të cilat sipas asaj që mëson lapsi.al kanë ardhur në rritje.
Ndryshe nga ajo që po ndodh në Bruksel, në Tiranë, kryeministri Edi Rama nuk lë rast pa përsëritur se procesi i integrimit “nuk ka frenim”. Kriteret në rritje të BE-së ndaj Shqipërisë, sipas Ramës janë thjesht “pyetje shtesë” që vendet anëtare po bëjnë
E vërteta është se ndryshe nga Mali i Zi, që po ecën me mbylljen e kapitujve dhe në fillim të qershorit pret të zhvillojë tryezën e radhës ndërqeveritare me BE-në, në Tiranë, duket se prej votës për mbrojtjen e zëvendëskryeministres të akuzuar për korrupsion, procesi i integrimit ka mbetur në vendnumëro. ©LAPSI.al











