KULTURË
“DURONI SE DO MERRNI LESH…”.
Thoma Goga – Këtë mesele që do rrëfej e kemi peshqesh nga “ustai” i gallatës, Nastradin Efendiu. Kanë kaluar shekuj që atëherë, por ajo vjen e freskët edhe në ditët tona... ...Ca nga halli e ca nga malli Nastradini ishte kripur në borxhe. Merr këtu e merr atje, borxhi ishte bërë një det. Dhe “detin” e kalonte si ngjalë, duke u përdredhur e duke gënjyer. Gënje sot e gënje nesër, nuk mbante më ujë pilafi.
Dhe Nastradin Efendiu ndërroi taktikë. Lexoni se çoç do mësoni:
...Para shtëpisë së Nastradin Efendiut kishte gjullurdi të madhe. Që pa gdhirë ishin mbledhur borxhlinjtë. Dhe “ustai” i gënjeshtrës nuk doli vetë. Mësoi gruan e tij të vetme të fliste me stilin e njohur.
- Urdhëroni, -tha ajo, – pse jeni munduar?
- Duam Nastradin Efendiun, për ato borxhe që na ka.
- Uuaa, ja për këtë është ngritur që me natë.
- E ku ka shkuar?- pyeti një borxhli.
- Shkoi në pyll, – u përgjigj e shoqja e Nastradinit.- E hante meraku për ju dhe gjumi nuk po e zinte.
- Të shkojë edhe prapa diellit. Ne duam borxhet.
- Po ç’kërkon në pyll?- pyeti një tjetër borxhli.
- Shkoi të marrë driza.
- Ne duam paret tona, s’na hyjnë në punë drizat…
- Avash, duroni pak. Me ato driza do i bëjmë paratë.
- E si do i bëni?
- Ato driza do i mbjellim në tokën tonë,- filloi të shpjegohej nastradinesha.- Drizat do rriten e do rriten. Ju duroni edhe ca. Aty do kalojnë delet e botës. Do kruhen e do kruhen. Nëpër driza do mbetet leshi i butë. Ju duroni edhe ca. Kur të mbledhim leshin, do e shesim. Me ato para që grumbullojmë, do u kthejmë borxhet që kemi. Ju duroni edhe ca, se punët po na venë mbarë.
Atë çast u hodh një borxhli: - Me një fjalë, ne do marrim lesh…
- Prandaj kjo mesele mbetet aktuale edhe sot, sepse janë shtuar borxhlinjtë dhe “nastradinët”. Ju po e shikoni edhe vetë. Ka dalë mashtrimi në shesh. Po dhatë para borxh, një ditë do merrni lesh…