Dy tallje me vlonjatët që s’kanë ujë në shtëpitë e tyre

Dje, kur vlonjatët kërkonin ujë në shtëpitë e tyre, kryetarja e bashkisë Brunilda Mërsini i ftonte në një mbrëmje gala. Sot kur ata protesojnë për ujë, Edi Rama u thotë “plasi syri i keq”
Duhet të jetë e mundimshme të mbijetosh 4 apo 5 ditë pa ujë në shtëpi, por akoma më e rëndë është të të tallin në një situatë kaq të vështirë. Kjo po ndodh në Vlorë këto ditë, kur ankesat e qytetarëve përballen me ca reagime fyese, në një situatë kur më shumë se kurrë bie në sy arroganca e pushtetarëve.
Tanimë është e qartë se shkak për mungesën e ujit në Vlorë është bërë një defekt teknik, në tubacionin e furnizimit të qytetit, që do të riparohet me pjesë të ardhura nga Turqia. Fotot nga pjesa e dëmtuar po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe të parët që i shpërndajnë janë socialistët.

Por ndërsa një ditë ky problem do të zgjidhet, ajo që mbetet është indiferenca, karshilliku dhe sfida që demonstruan kryetarja e bashkisë Brunilda Mersini dhe kryeministri Edi Rama. Reagimi i tyre tregon se ata mendojnë se kanë përballë një popullsi kokëulur, e paaftë të reagojë, që e ka humbur nervin e protestës dhe që mund ta lësh edhe pa kushtet minimale të higjienës dhe sërish do qeverisësh i pashqetësuar.
Festa gala e Bashkisë Vlorë
Të ndërgjegjshëm se një pjesë e popullsisë së Vlorës ishte pa ujë në shtëpitë e tyre, drejtuesit e bashkisë treguan një moskokëçarje ulëritëse, kur vendosën të organizojnë një mbrëmje gala të dielën me rastin e festave të fundvitit.

Problemi i ujit të pijshëm vazhdonte prej ditësh. Për qytetarët që ankoheshin ishin vënë në punë disa autobote, që qarkullonin në lagjet pa ujë duke ofruar furnizim sa për një higjienë minimale për banorët.
Në vend se të shpallte gjendjen e emergjencës, në vend se të kërkonte zgjidhjen e menjëhershme të problemit, kryebashkiakja Brunilda Mërsini u mor me programin kulturor të mbrëmjes gala.
“Një spektakël i organizuar nga Teatri “Petro Marko” , me mbështetjen e Bashkisë Vlorë dhe kujdesin e veçantë të kryetares Znj. Brunilda Mersini” ishte njoftimi që bëri teatri Petro Marko, ndërsa ftonte qytetarët dhe punonjësit e bashkisë në festë.
Por mbrëmjen e 28 dhjetorit, një grup qytetarësh vlonjatë, të frustruar për mungesën e ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre vendosën të ngrenë zërin. Me bidona në duar, ata u mblodhën në qendër të qytetit, atje ku ishin mbledhur zyrtarët e bashkisë; në Teatrin “Petro Marko”.

Drita e ngjyrat, nën tingujt e muzikës klasike kishte mbushur sallën. Kontrasti ishte irritues. Për protestuesit jashtë ishte një lënë një grup policësh, që u thye shpejt. Me bidonët e ujit bosh dhe pankarta në duar, qytetarët u futën brenda teatrit dhe ndërprenë festën e bashkisë, duke bërë të qartë se ky gëzim ishte i pavend, në një kohë që banorëve u mungon një nevojë jetësore.
Me thirrjet “Duam ujë” dhe “Poshtë qeveria”, disa qindra qytetarë, burra, gra, fëmijë e të moshuar refuzuan të largoheshin nga teatri derisa dikush të merrej seriozisht me kërkesat e tyre për furnizim normal me ujë të pijshëm. Në videon më poshtë janë disa nga momentet kryesore, të protestës.
“Të na thonë ça do bëhet, kur do vijë uji?” dëgjohen të thotë qytetarët, ndërsa përplasin bidonat bosh. Por sapo mësuan për protestën, drejtuesit e bashkisë së Vlorës u larguan nga dera e pasme e teatrit, duke i lënë qytetarët në sallë me bidonë në duar.
Tallja me “syrin e keq” nga kolltuku i qeverisë
Në ditën e pestë, protesta vazhdoi sërish. Qytetarët u mblodhën më të shumtë në numër përballë bashkisë së Vlorës, për një takim me kryetaren e Bashkisë. Aty i priti një tjetër gardh me policë. Përpjekjet për t’i sqaruar i bëri drejtuesi i ujësjellësit Flauers Shoshi, që shpjegoi se defekti kishte ndodhur nga presioni I ujit dhe rrëshqitja e dheut.
Por reagimi që erdhi më pas nga kryeministria në Tiranë, ishte akoma më i pavend se mbrëmja gala e bashkisë së Vlorës.

Në një status në rrjetet sociale, Edi Rama përsëriti shpjegimin teknik të situatës dhe e zhvendosi përgjegjësinë tek “pjesët hidraulike jashtë standarteve” të vitit 2009–2010 pra para se socialistët të vinin në pushtet.
Por ajo që është sa qesharake, aq edhe domethënëse është pjesa kur Rama shkruan se “siç thoshin gjyshet tona, plasi më në fund edhe syri i keq”, sikur mungesa e ujit të ishte ndonjë magji apo ndonjë fatkeqësi që vlonjatëve ia kishte sjellë ndonjë forcë e mbinatyrshme.
Ky fjali e Ramës është edhe tallja e dytë me vlonjatët që kanë vite që e votojnë masivisht kryeministrin dhe partinë e tij. Por ky, në vend se t’u flasë si kryeministër, ua kthen si të ishte magjistar, që botën e shpjegon me syrin e keq dhe macet e zeza.
Fjalori i Ramës nuk është i rastësishëm. Kështu mund të flasë vetëm një politikan që mendon se ka përballë një turmë të paarsimuar, ndonjë masë injorantësh të prapambetur, njerëz të dorës së dytë, që janë paaftë të ngrihen në nivelin e qytetarisë dhe të kërkojnë llogari për një qeverisje më të mirë.
Dhe kjo arrogancë e ka një shpjegim. Prej gati 35 vitesh, Vlora është bastion i partisë socialiste. Vlonjatët ia kanë besuar bashkinë të njëjtës forcë politike që nuk e njeh rotacion në këtë qytet. Socialistët qeverisin aty pa frikë, duke ia lejuar vetes edhe indiferencën në situata të tilla emergjente. Në fund të fundit, nëse vota është e sigurtë ditën e zgjedhjeve, politikani s’ka arsye ta përmirësojë qeverisjen, por as nuk lodhet të gënjejë më bukur. Madje ia lejon vetes edhe ndonjë një tallje herë pas here me njerëzit që kanë 5 ditë pa u larë./











