Fier – Dy të arrestuar, armë dhe drogë ka kapur policia e Fierit paraditen e sotme. Aksione policore të përditshme, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale. Lëviznin me automjet, të armatosur dhe me doza cannabisi gati për shitje, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 170 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dhjetëra doza cannabis, 2 celularë dhe automjeti.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të inteligjencës policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, se 2 shtetas lëviznin të armatosur dhe me doza cannabisi me vete, të gatshme për shitje, Komisariati i Policisë Fier, në aksin rrugor “Pojan-Dërmenas”, ndaloi për kontroll, automjetin që drejtonte shtetasi P. F. alias P. Xh. dhe ku ishte pasagjer E. H.. Gjatë kontrollit në këtë automjet u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 170 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dhjetëra doza cannabis gati për shitje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier vuri në pranga shtetasit P. F. alias P. Xh., 49 vjeç dhe E. H., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Dërmenas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.