SPORT

Dy të vdekur nga djathi me listeri në Francë! Mediat: Është importuar edhe në Shqipëri

Një shpërthim serioz i liseteriozës në disa vende europiane ka shkaktuar dy viktima dhe dhjetëra persona të sëmurë, të gjitha të lidhura me konsumimin e djathërave të butë të pasterizuar, të prodhuar në Francë.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), 21 raste të liseteriozës janë raportuar në Francë midis dhjetorit 2024 dhe 13 gushtit 2025. Nga këto, 18 janë shfaqur që nga qershori dhe për fat të keq, dy pacientë kanë humbur jetën.

Katër raste të tjera janë raportuar gjithashtu në Belgjikë, Danimarkë, Holandë dhe Norvegji, ku pacientët gjithashtu kishin konsumuar djathë të butë të pasterizuar përpara se të sëmureshin.

Hetimet e autoriteteve franceze kanë çuar në identifikimin e një prodhuesi të caktuar francez, i cili prodhon djathë të butë nga qumështi i lopës dhe dhisë. ECDC ka konfirmuar se produktet janë shitur nën marka të ndryshme dhe janë shpërndarë në rreth 30 vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë.

Megjithatë, për momentin nuk është bërë publik emri i prodhuesit. Produktet janë tërhequr nga tregu si masë parandaluese, ndërsa autoritetet në vendet përkatëse po zbatojnë kontrolle zyrtare dhe kanë lëshuar paralajmërime për konsumatorët.

Liseterioza është një infeksion i shkaktuar nga bakteri Listeria monocytogenes, i cili transmetohet kryesisht përmes ushqimeve të kontaminuara. Ndërsa shumica e njerëzve mund të përjetojnë vetëm simptoma të lehta si ethe, diarre dhe të përziera, sëmundja mund të jetë shumë e rrezikshme për:

Gratë shtatzëna-mund të shkaktojë abort ose lindje të vdekur,

Të moshuarit,

Personat me sistem imunitar të dobësuar.

Në Francë, pacientët e prekur kanë qenë të moshës 34 deri në 95 vjeç dhe 11 prej tyre kanë qenë gra. Në vendet e tjera, të prekurit janë të moshës 35–70 vjeç.

Produktet e kontaminuara janë shpërndarë në këto vende:

Shqipëri, Andorrë, Australi, Austri, Belgjikë, Burkina Faso, Kamboxhia, Kanada, Çeki, Bregu i Fildishtë, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë (përfshirë Polinezinë Franceze), Gjermani, Hong Kong, Hungari, Itali, Japoni, Madagaskar, Malajzi, Mauritius, Holandë, Kaledonia e Re, Singapor, Sllovaki, Kore e Jugut, Spanjë, Suedi, Zvicër, Mbretëri e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ECDC nënvizon se rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët, por personat që i përkasin grupeve të rrezikuara duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm.

Nëse keni konsumuar djathë të butë të pasterizuar francez dhe ndjeni simptoma si ethe, të përziera, dhimbje koke ose diarre, rekomandohet të kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button