Lulzim Basha po bën me ngut të gjitha përgatitjet për t’u rikthyer edhe një herë në krye të PD-së së vulës. Edhe pse nuk e ka shpallur kandidaturën e ka bërë të qartë rikthimin menjëherë pas zgjedhjeve lokale me një tur takimesh nëpër qytete.
Në krahun tjetër mbështetësit e tij në kryesinë e partisë miratuan mes debateve të shumta vendimin që partia të futet në zgjedhje në 29 korrik për kryetarin e saj. Mes tensioneve u votua ky variant edhe pse një pjesë këmbëngulte që procesi të ishte më i ngadaltë dhe të niste nga baza dhe jo nga kryetari.
Por data është shpallur edhe pse shumë akuzojnë se po shkelen procedurat dhe statuti. Madje Lulzim Basha ka edhe një “rival”. Bëhet fjalë për një emër të panjohur, ish-të përndjekurin politik Gjergj Hani.
Ai e ka shpallur publikisht kandidaturën e tij për postin e kreut të Partisë Demokratike përmes një postimi në rrjetet sociale. Madje Hani shkruan se “s’do ketë një rrugë të gjatë lehtë para, por vendi duhet të fillojë rrugën e normalitetit të ri politik”.