AKTUALITETTOP-NEWS

Emigranti fierak letër të hapur kupolës shtetërore.

Letër e hapur
Drejtuar:
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj
Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama
Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi
I nderuar z. President,
I nderuar z. Kryeministër,
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,


Prej ditësh në mediat e shkruara dhe vizive qarkullon një lajm i hidhur dhe shqetësues për mbarë kombin shqiptar: ngritja e kampeve për pritjen e emigrantëve nga vende të Lindjes së Mesme dhe Azisë. Si një shqiptar që kam mbi 30 vite në emigracion, ky lajm më ka prekur thellë, sepse ëndrra ime dhe e familjes sime ka qenë gjithmonë rikthimi në atdhe.

Në këtë kuadër, lind natyrshëm një pyetje e rëndë për secilin prej nesh: Mos vallë shpopullimi i Shqipërisë këto tre dekada ka qenë pasojë e ndonjë projekti të heshtur, për të cilin vetë shqiptarët nuk kanë ditur asgjë? Kjo pyetje buron nga realiteti i hidhur: vendi ynë po zbrazet me ritme alarmante, ndërsa dëgjojmë për plane për të vendosur emigrantë të huaj në Shqipëri.

Shpresa jonë, ajo që mban gjallë zemrat e shqiptarëve kudo në botë, ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar, përpara se Shqipëria të aderojë në Bashkimin Europian. Kjo do të ishte një fitore historike për popullin tonë. Por situata e sotme flet ndryshe: shqiptarët po largohen masivisht për shkak të vështirësive ekonomike, mungesës së sigurisë, mungesës së perspektivës dhe shumë faktorëve të tjerë socialë.
Ndërkohë, politika shtetërore duket se po i jep prioritet vendosjes së emigrantëve të huaj, në vend që të krijojë kushte për kthimin e shqiptarëve të vet, për banimin dhe kontributin e tyre në atdhe. Kjo i shton edhe më shumë shqetësimet e diasporës shqiptare.

Pse nuk u bëhet thirrje shqiptarëve të suksesshëm në botë—sipërmarrësve, profesionistëve, intelektualëve—të kthehen dhe të kontribuojnë për Shqipërinë?
Pse nuk krijohen politika të qarta për rikthimin e trurit, të kapitalit dhe të energjisë së shqiptarëve të diasporës, të cilët e duan vendin e tyre?

Ne, shqiptarët jashtë atdheut, jemi të bindur se Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm. Ajo meriton të jetë shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Por kjo kërkon politika të drejta, transparente dhe të orientuara kah interesi kombëtar.

Ju bëj thirrje ta dëgjoni zërin e diasporës—zërin tonë—dhe të rishikoni politikat që lidhen me çështjen e emigrantëve të huaj, njëkohësisht duke vënë në qendër strategjinë kombëtare të rikthimit të shqiptarëve në atdhe.

Ne jemi gati të kontribuojmë, të ndërtojmë, të investojmë, dhe të kthejmë shpresën në vend, por presim politika të ndershme, serioze dhe të orientuara drejt mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar.

Me respekt,
Vladimir Selamaj
Athinë
5-12-2025.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button