MAGAZINË

Ernesto Che Guevara, mjeku që u bë simbol i revolucionit botëror

Ernesto Che Guevara, një nga figurat më emblematike të shekullit XX, mbetet edhe sot një simbol i rezistencës dhe idealizmit revolucionar. I njohur si mjek, politikan dhe guerilas, ai u bë i famshëm për rolin vendimtar që luajti në Revolucionin Kuban, përkrah Fidel Castros.

Guevara, i lindur në Argjentinë në një familje të pasur, u përball që herët me sëmundjen e astmës, por asgjë nuk e ndaloi në pasionin e tij për sportin, librat dhe aventurat.

Gjatë një udhëtimi me motoçikletë nëpër Amerikën e Jugut, ai u trondit nga varfëria dhe pabarazia sociale që pa, çka e shtyu të përqafojë idetë komuniste dhe të luftojë kundër imperializmit amerikan.

Pas përfundimit të studimeve në mjekësi, Guevara mori pjesë në lëvizje revolucionare në Bolivi dhe Guatemalë, ku dëshmoi nga afër ndikimin ekonomik dhe politik të SHBA-së në rajon. Pas dështimit të revolucionit në Guatemalë, ai u zhvendos në Meksikë, ku takoi Fidel Castron — takim që do të ndryshonte historinë e Amerikës Latine.

Në vitin 1956, Che u bashkua me Castron në përpjekjen për të përmbysur diktaturën e Fulgencio Batistës në Kubë.

Pas një lufte të gjatë guerile, ata arritën të fitonin në vitin 1959, duke vendosur regjimin komunist në ishull. Si një nga figurat kryesore të qeverisë së re, Guevara udhëhoqi reformat industriale dhe ekonomike, duke u bërë një prej zërave më të fortë të ideologjisë socialiste në kontinent.

Pas përpjekjes së dështuar të SHBA-së për të rrëzuar regjimin kuban në Ngushticën e Derrave, Guevara u angazhua në përhapjen e revolucionit në vende të tjera të botës, si Kongo dhe më pas Bolivi. Por pikërisht në Bolivi, më 9 tetor 1967, ai u kap dhe u ekzekutua nga forcat ushtarake.

Edhe pse u vra në moshën 39-vjeçare, Che Guevara mbeti një figurë mitike e lëvizjeve të majta në mbarë botën. Portreti i tij, me beretën dhe yllin në ballë, vazhdon të jetë një ikonë globale e rebelimit dhe lirisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button