AKTUALITETEKONOMI

Fabrikat ndalin grumbullimin e qumështit në fermat e Fierit! Blegtori shet lopët: Po falimentoj!

Prej 11 ditësh, blegtori nga Levani i Fierit, Ardian Skënderaj, po përballet me një krizë të paprecedentë. Qindra litra qumësht kanë mbetur në fermë, pasi fabrikat e përpunimit kanë refuzuar grumbullimin, me arsyetimin se në produkt është konstatuar prani e aflatoksinës.

“Po na lënë qumështin në vend. Erdhën deri më datën 2 mars, morën qumështin e mëngjesit në orën 03:00; pasdite më mori në telefon menaxheri dhe më tha: ‘Nesër s’marrim më qumësht, se ka aflatoksinë’. Ne u japim ilaçe dhe gjithçka tjetër lopëve. I kemi më se normale. U japim dozat që u takojnë dhe bëjmë analiza”, tha blegtori.

Në vendin tonë, kufiri maksimal i lejuar i aflatoksinës M1 në qumësht është 0.05 mikrogram për kilogram. Qumështi që i është kthyer fermerit ka rezultuar mbi këtë normë, por ai thotë se ka kryer analiza edhe në laborator privat dhe pretendon se është brenda standardit.

“Fabrika më thotë se del mbi normë, me 0.07. I bëj vetë analizat në privat, më del 0.053, domethënë vetëm pak mbi normën që është e lejueshme tek ne”, thekson ai. Blegtori thotë se brenda 11 ditësh është detyruar të shesë 25 krerë lopë dhe nuk sheh asnjë shpresë për të dalë nga kjo situatë.

“Unë prodhoj 180 litra në ditë dhe e hedh në kanal. Deri tani kam shitur 25 krerë. Ishin 53 krerë lopë gjithsej. Në këto kushte do t’i heq të gjitha. Tjetër problematikë është baza ushqimore, lagështira; të gjitha po shkojnë dëm, po prishet volumi. Kam mbi 20 vjet që punoj me fabrikën dhe ka qenë korrekte, por tani na hodhën në rrugë. Thanë: ‘S’duam më qumësht’. Marrin qumësht nga jashtë. Punë e tyre çfarë bëjnë, por unë falimentova”, tha Skënderaj.

Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli, thekson se refuzimi i qumështit nga fabrikat për shkak të aflatoksinës M1 është një situatë serioze. “Kafshët mund të jenë ushqyer me misër të kontaminuar. Më herët është raportuar se 130 ton misër me aflatoksinë kanë hyrë në treg, pavarësisht se ishin identifikuar me probleme. Një situatë e tillë tregon për një problem serioz në sistemin e kontrollit dhe menaxhimit të riskut ushqimor.”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button