“Fermeri i Krapsit që sfidon mungesën e subvencioneve: 3 mijë gjela deti gati për tregun e fundvitit”

Në Kraps të Fierit, mes kodrave të buta dhe fermave tradicionale të zonës, Festim Agalliu ka ngritur një nga fermat më të mëdha familjare të mbarështimit të gjelit të detit në qark. Këtë vit, ai po rrit mbi tre mijë krerë gjela deti, një shifër shumë e lartë për një fermë familjare që funksionon pa asnjë mbështetje financiare nga shteti.
Festimi punon prej vitesh në tokat dhe stallat e tij, dhe kjo është hera e tretë që investon seriozisht në mbarështimin e gjelit të detit. Megjithatë, ndryshe nga shumë fermerë të tjerë që marrin subvencione, ai nuk ka përfituar asnjë ndihmë nga shteti, as në formë grantësh, as në formë lehtësirash.
“Gjithçka e kam bërë me djersën time dhe me ndihmën e nipërve,” – thotë ai, duke shtuar se çdo vit shpenzimet rriten, por nuk ka asnjë dorë shteti që t’i mbështesë.
Kostoja për rritjen e këtyre shpendëve është e lartë: energjia, ushqimi, medikamentet dhe punët e përditshme kërkojnë jo vetëm kohë, por edhe investime të vazhdueshme. Megjithatë, Festimi nuk dorëzohet. Ai tregon se kërkesa për gjel deti rritet sidomos në dhjetor, kur shqiptarët përgatiten për natën e ndërrimit të viteve. Për të, kjo është periudha kryesore e shitjeve.






Ai shpjegon se çmimet kanë qenë të qëndrueshme ndër vite:
– 700 lekë/kg për gjelin e detit
– 800 lekë/kg për pulën e detit
“Shtesa e kostove nuk është reflektuar te çmimi final, sepse njerëzit nuk përballojnë dot më shumë. Ne mundohemi të ruajmë balancën,” – thotë ai. Festimi thekson se tregun e ka të garantuar jo vetëm në Fier dhe rrethinat e tij, por edhe në qytete si Vlora, Berati, Tepelena e zona të tjera ku është krijuar një besim i fortë te cilësia e produktit të fermës së tij.
Gjeli i detit i zonës së Mallakastrës njihet për shijen e tij të veçantë, diçka që vjen nga mënyra tradicionale e ushqyerjes. Këta shpendë ushqehen me bar të freskët, jonxhë të njomë, misër vendas dhe madje edhe me ullinj – një kombinim që u jep mishit aromë dhe cilësi të lartë, duke e bërë një ndër produktet më të kërkuara të tregut lokal.
Festimi shton se edhe pse punon me ngarkesë të madhe, gëzimi më i madh i tij është kur konsumatorët e njohin e vlerësojnë cilësinë e prodhimit të tij.
“Ne punojmë ndershëm dhe me traditë. Gjeli i detit është pjesë e kulturës sonë dhe do të vazhdojmë ta mbajmë gjallë këtë traditë,” – thotë ai.
Fermat si ajo e Festim Agalliut mbeten shembuj të gjallë të punës, traditës dhe rezistencës së fermerëve shqiptarë, të cilët pavarësisht vështirësive, vazhdojnë të prodhojnë dhe mbajnë gjallë ushqimet tradicionale të çdo familjeje në fundvit.










