KRYESOREOP/ AN

“Fier, më shumë se fushatë – një ‘Champions League’ politike!”

Nga Xhemil Beharaj – Zgjedhjet parlamentare të 11 majit po afrojnë dhe në Fier është ndezur një fushatë që më shumë se politike, të kujton një ndeshje të ethshme Champions League. Skuadra me emër mund të humbasë, ndërsa një ekip i vogël me trajner të zoti të befasojë. Dhe kjo nuk është metaforë, është realitet!

Në fushën e PS-së, kandidatët punojnë me tre turne – paradite, pasdite, dhe po, edhe natën. Çfarë bëhet natën, e kush merr urdhra e kush premton vende pune, nuk dihet. E ka thënë edhe Zeqineja, që e ka thënë Gazi i PD-së… Po le të mos dalim nga tema.

Nga selia socialiste vjen lajmi: O bëhen deputetë Ceno dhe Klevisi, o nami! Po ndërsa drejtuesit i duan, banorët e Klosit në Mallakastër nuk janë të bindur. “Vetëm Fatosi doli burrë i mirë”, thonë në kafene. Për Klevisin ka simpati, por e kaluara e babait të tij me PD-në u vret syrin të kuqve fanatikë.

Në horizont kanë dalë emra të tjerë: Tiku që luan fshehurazi dhe Eriselda që po djersit në terren. Votat po orintohen nga lart – politika e madhe nuk ka plane për ta.

Ndërkohë, opozita duket si fantazmë në shumë fshatra – me largimin e Kapllanit, strukturat e PD janë zhbërë. Fshatrat janë zbrazur, e ata që kanë mbetur janë lodhur duke dëgjuar premtime të ricikluara.

Belinda që zbarkoi në Fier si drejtuese qarku bëri “shkundje” të madhe, aq sa disa po heshtin, disa po punojnë kundër e disa bëjnë sikur punojnë të mbledhin vota me thasë por që janë të çarë nga fundi.

Në kampin socialist, ka punë pa fund – aq shumë sa sytë u janë veshur nga lodhja, dhe thonë që janë gati të ja fusin edhe njëri-tjetrit. Në këtë garë të egër, Jahaj po mbledh vota si asnjëherë, madje ka marrë me qira edhe kuti të forcave të tjera – s’ka ku i fut ndryshe!

Në Cakran, Levan, Frakull, Patos – Goni, Jani, Baçi, Titi – kokë më kokë, me  çakull,  asfalt, janë bërë makineri fushate për Klevisin e jo Cenon. Po Antoneta që kërkon mandatin e tretë? Me pak sforco, mund t’ia dalë – por konkurrenca është e fortë. Ish-bashkiakja e Patosit – e dënuar nga SPAK – nuk harron e nuk fal. Votat e klanit të saj s’do shkojnë as tek Antoneta (mike dhe rivale) e as tek PS-ja.

Në Roskovec, Zeqineja ka hallet e Instagramit, jo të votave. Kurse Ramion Kurti, një djalë i mirë dhe me kontribute, ka mbështetjen e “xhaketave të vjetra” të PS-së, që kërkojnë të ruajnë ndikimin nëpërmjet të rinjve.

Nustreti po lufton por e di shumë mirë që nuk mblidhen votat lehtë. Nëse në zgjedhjet e kaluara mori vota nga elektorati blu tashmë kta të PS  po shikojnë për vete. A do ta ndihmojnë patriotët e tij me vota?! Ka një fjalë të urtë, kismet.

Po opozita? Shfaqen aty-këtu, takime pa bujë, birra, raki, muhabet me popullin. Thonë “jemi mirë”, por sa mirë, sepse ky elektorat nuk gënjehet më – këtë do e tregojë 11 maji.

Koha po fluturon. PS ka një zakon të vjetër: 48 orët e fundit i kthejnë në sprint me “thasë”. Çfarë ka brenda thesi? S’dihet. Por një gjë dihet: “Topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj vet!” ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button