Fieri shpall në “kërkim” 8 besnikët e Belinda Ballukut

Tetë zyrtarë të lartë të administratës shtetërore, të gjithë vartës besnikë të ministres së pezulluar të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, janë shpallur në “kërkim” nga qytetarët e thjeshtë. Ata janë njerëzit e ngushtë të zv.kryeministres, ndaj të cilës Prokuroria e Posaçme ngriti akuzë zyrtare duke e marrë të pandehur, por që prej veprimit të SPAK-ut të gjitha janë larguar nga zonat zgjedhore.
VoxNews ka mësuar se 8 besnikët kanë qenë në role drejtuese në 4 rajone në Fier, duke mbuluar çdo territor dhe duke koordinuar një grup të madh zyrtarësh qendrorë dhe lokalë, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. E njohur për organizimin e të gjithë strukturave partiake, Balluku vuri në ato poste njerëzit e besuar, duke kërkuar me ngulm rezultatin zgjedhor.
Makineria shtetërore u stacionua disa muaj para zgjedhjeve të 11 majit në Fier, duke marrë kontrollin e gjithçkaje. Ata kontrollonin çdo leje, punësim, shpërblim, pagë apo edhe fondet në bujqësi. Madje edhe pensionet apo ndihmat sociale, teksa edhe sektori i naftës, kompania shtetërore Albpetrol, apo edhe firmat private, u vunë nën zgjedhën e Ballukut.
Disa zyrtarë lokalë të Partisë Socialiste të Fierit thanë për VoxNews se, pas ngritjes së akuzës nga SPAK për Ballukun, kryepatronazhistët janë zhdukur nga qarku. “Para veprimit të SPAK-ut, ishin të gjithë në Fier. Me urdhër të Ballukut bënin takime me strukturat e PS-së. Merrnin edhe njerëz nga Tirana. Emëronin, shpërblenin apo transferonin anëtarët e PS-së. Disa i emëronin në pushtetin lokal, të tjerë në drejtoritë e varësisë së MIE” pohojnë burimet.
Kush janë 8 besnikët e Ballukut të shpallur në “kërkim” nga banorët e Fierit?
VoxNews ka siguruar ekskluzivisht listën e brendshme të Partisë Socialiste të Fierit, e cila thotë se emrat kanë shkuar disa muaj para zgjedhjeve të 11 majit. Sipas tyre, qyteti u nda në 4 rajone të mëdha dhe secili rajon kishte 2 drejtues. “Të gjithë ishin drejtorët e Ballukut. Krahas kandidatëve për deputet, që kishin një rol aktriv si Ceno Klosi, Klevis Jahaj, etj., edhe drejtuesit e rajoneve koordinonin gjitha”, thanë të njëjta burime.
Sipas tyre, rajoni numër 1 kryesohej nga Diana Gjonçaj, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Klodjan Mema, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve në Fier.
“Të gjithë ishin të dubluar dhe nga institucione të ndryshme. Por, të gjithë raportonin te Balluku dhe njerëzit e tjerë të besuar”, pohojnë të njëjta burime.
Ndërkohë, në rajonin numër 2 ishin emëruar Evis Mamaj, drejtor i Financave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë.
Në rajonin numër 3 ishte një emër i njohur, Spartak Kovaçi, ish-drejtor i Ujësjellësit në Durrës. Sërish një person i hetuar, i cili kishte ngritur një skemë të mirëfilltë zhvatjeje gjatë kohës që drejtoi UKD, por me “bekimin” e eprorëve të tij, Klevis Jahaj dhe Belinda Balluku. Kovaçi i dha kompanisë së tij disa tendera të majmë! Në të njëjtin rajon, numër 3 në Fier, ishte edhe një kryepatronazhiste e fuqishme si Blerta Guxha, drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve.
VoxNews ka mësuar se në rajonin numër katër ishin bashkëkryetarë Arta Gurabardhi, nëndrejtoreshë në KESH-it dhe Besjan Kadiu, zv.ministër në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Emra me peshë të rëndë, që kanë në dorë të gjithë financat e shtetit apo edhe eprorë të mijëra punonjësve, të cilët kanë qenë të gjithë të angazhuar më 11 maj.
©Copyright Vox News












