Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETGabimet me kodet e mafias që sollën zhdukjen e Vis Martinajt

Gabimet me kodet e mafias që sollën zhdukjen e Vis Martinajt

Vijon prej të paktën tre javësh misteri mbi zhdukjen e Ervis Martinajt, personazhit të konsideruar si “Mbreti i Lojërave të Fatit”, i cili mendohet se ka arritur një pasuri prej gati 600 milion euro prej aktiviteteve të ligjshme dhe të paligjshme.

Gazetarët flasin se ka një video kur ai është kapur nga kundërshtarët e tij, teksa i ofron madje atyre 50 milion euro për ta liruar. Artan Hoxha në atë video shihej se Martinaj ishte tortuar, ndërkohë që deri më tani nuk ka një reagim zyrtar as nga policia dhe as nga prokuroria se çfarë ka ndodhur realisht me Martinajn.

Disa nga ekspertët e botës së krimit thanë se Ervis Martinaj, nuk zbatoi rregullat e botës së mafies. Ishte më i ekspozuar seç duhet, donte të ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe në vendet më luksoze në Shqipëri

Cilat janë gabimet me kodet dhe rregullat e mafias që sollën zhdukjen e Vis Martinaj?

Kodi i heshtjes

Omerta është kodeksi i heshtjes i cili i ndalon mafiozët që të tradhtojnë partnerët e tyre tek autoritetet. Dënimi i tradhtisë është vdekja e tradhtarit dhe e familjes së tij.

10 Urdhrat e Shenjta

Në nëntor të vitit 2007, pas arrestimit të Salvatore Lo Picolo (do të sqarojmë më vonë se kush është), policia siçiliane gjeti një dokument që përmbante “Dhjetë Urdhërat” në vendin ku strehohej ai. Ata janë udhërrëfyes si të bëhesh një mafioz i mirë, i respektuar dhe i ndershëm.

Askush nuk duhet ta prezantoje veten drejtpërdrejt para ndonjërit nga miqtë tanë. Duhet të ketë një palë të tretë për ta bërë këtë.

Asnjëherë mos shiko gruan e mikut tënd.

Mos lejo të të shikojnë me policë.

Mos shko nëpër pabe dhe klube.

Të jesh gjithmonë i disponueshëm për Cosa Nostrën është detyrë-edhe nëse gruaja është duke lindur.

Takimet duhet të respektohen plotësisht.

Bashkëshortet duhet të trajtohen me respekt.

Kur pyetesh për ndonjë informacion, duhet të tregohet gjithmonë e vërteta.

Paratë nuk janë të duhura nëse i përkasin të tjerëve apo familjeve të tjera.

Njerëzit të cilët nuk mund të jenë pjesë e mafias, çdokush që ka lidhje të afërta me policinë, çdokush që mban marrëdhënie të paplota me familjen, çdokush që sillet keq dhe nuk i ruan vlerat morale.

Zhdukja e Martinajt është kthyer në një mister të madh, ndërsa duket se çelësi i të gjithë kësaj historie është Efektivi i Forcave Operacionale Jeton Lami, i cili nuk është zbërthyer ende duke dhënë detaje të cunguara mbi lëvizjet e Martinajt në ditët e para të gushtit, pas të cilave më pas nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Prokuroria po heton në dy linja sa i përket këtij fakti: Linja e parë lidhet me gjetjen nga kundërshtarët pasi është tradhtuar nga njerëzit e tij dhe mundësinë e vrasjes së Martinajt prej tyre, kurse linja e dytë lidhet me një vetëzhdukje të tij për t’i shpëtuar edhe policisë, por edhe kundërshtarëve, të cilët kohët e fundit i ishin afruar shumë.

Kujtojmë se vetëm disa javë më parë, në mbikalimin pranë Fushë Krujës u ekzekutuan tre persona, njerëz të rrethit të Ervis Martinajt, ku njëri prej tyre ishte djali i xhaxhait të tij, Brilanti. Në të dyja këto pista, prokuroria dyshon se Lami nuk po thotë gjithçka di. Madje, ka dyshime se ky në çdo rast, ky efektiv i Forcave Operacionale të jetë në dijeni si në rastin e mundshëm të kapjes së Martinajt prej kundërshtarëve ashtu edhe nëse është zhdukur vetë.

Denoncimi

Në fillim të gushtit ishte xhaxhai i tij dhe nëna që shkuan në komisariatin e Policisë së Kurbinit duke kërkuar nga policia t’i gjenin të afërmin pasi sipas tyre nuk kishin patur kontakt prej disa ditësh. Ata theksuan në polici, sipas dëshmisë, se mungesa e kontaktit nga Martinaj ishte konstatuar nga një kushëriri i tyre me banim në Dubai. Ai u kishte thënë se nuk fliste prej disa ditësh me Ervis Martinajn.

Pas këtij denoncimi u shtua edhe më tepër dyshimi mbi fatin e tij si edhe zhvillimet e bujshme në fushën e kriminalitetit. Ky denoncim përkon me periudhën kur në Laç iu bë atentat dy personazheve të tjerë, të njohur si persona të grupit të Martinajt. Madje, makina e përdorur prej tyre, një Toyota Land Cruiser e blinduar ishte përdorur shumë shpesh nga Ervis Martinaj duke shtuar dyshimet se objekt i atentatit të Laçit ishte pikërisht ai

Vrasjet e bujshme

Emri i Ervis Martinajt do të përflitej për herë të parë publikisht pas vrasjes së Elvis Doçit në vitin 2013 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Gjithçka  ndodhi pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” ku në vitin 2013 u vendos bllokimi i lojërave të fatit. Prokuroria dyshoi atëhere se vrasja e ndodhur pak javë më pas në zonën e Komunës së Parisit kishte lidhje me këtë operacion dhe një ndër të dyshuarit ishte pikërisht Martinaj.

“Stacioni” tjetër i bujshëm i Martinajt ishte edhe vrasja e Enton Nikës në Linzë në tetor të vitit 2015. Martinaj ishte i shoqëruar nga Mirsad Kuçana, Emiljano Tasho dhe Bujar Hasani. Pas një debat verbal dhe grushteve, personat që shoqëronin Martinajn qëllojnë ndaj Nikës duke e lënë të vdekur në vend.

Ngjarja tjetër e bujshme ishte masakra e tetorit 2018 në ish-Bllok ku Martinaj u plagos në qafë, ndërkohë që mbeti i vrarë një prej personave që e shoqëronin atë, Fabian Gaccaj. Gjithçka ndodhi pas një sherri me Ervin Matën ku i pranishëm ishte edhe ish-ushtari i Forcave Speciale BOS, Merviol Billo. Ky i fundit është ende në arrati. Që prej kësaj periudhe, Ervis Martinajt i janë vrarë një numër i madh personazhesh që njiheshin si “njerëzit e tij”.

Kush është “Mbreti” tani?

Artan Hoxha tha se përballë Ervis Martinajt janë organizuar disa grupe kriminale, të cilat kanë patur një qëllim të vetëm: Largimin e tij nga “loja” pasi ishte kthyer në një personazh që kishte prishur balancat e marrëdhënieve mes krimit, politikës dhe botës së biznesit.

Hoxha paralajmëroi gjatë intervistës në ABC se grupi në fjalë, i cili ka financa tepër të shëndosha si edhe një grup të armatosur profesionistësh janë ata që do të mbretërojnë gjatë dekadës së ardhshme në fushën e krimit të organizuar.

Sipas tij, ky grup është një “përbindësh” që u krijuar për të hequr qafe Martinajn, ndërkohë që tashmë do të kthehen në një rrezik të madh për vendin pasi kanë gjithçka që iu duhet për të qenë të paprekshëm, qoftë edhe mbështetjen politike, raporton abcnews.al.

Kush e donte të vdekur Ervis Martinajn?

Mësohet se një ndër ndërhyrjet më të forta të Martinajt në këtë trekëndësh ka qenë momenti kur u tentua monopolizimi i tregut ta basteve në Shqipëri, pak vite pas operacionit “Fundi i Marrëzisë” që e goditi rëndë atë në fund të vitit 2013.

Bëhet fjalë sipas Hoxhës për kompaninë “Bast Arena”, në të cilin tentuan të futeshin në lojë një politikan i njohur, i shpallur madje “non grata” nga SHBA-të; një biznesmen i fuqishëm si edhe një i afërmi i një politikani tepër të rendësishëm në vend. Hoxha u shpreh se me ta mësuar këtë, Martianaj kishte kontaktuar me të tre duke iu thënë se duhej të hiqnin dorë nga kjo tentativë për ta nxjerrë atë tërësisht nga loja. “Bast Arena” u mbyll pak muaj më pas sipas Hoxhës.

Largimi nga skena i Ervis Martinajt mund të çojë në një rigjallërim të tentativave për të monopolizuar tregun e basteve në Shqipëri përmes dhënies së ndonjë licence kombëtare./Voxnews

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME