Mbrëmja Gala “Topi i Artë” 2024 ka dorëzuar trofetë individuale të një viti sportiv mbushur me suksese, por edhe zhgënjime. Janë dorëzuar cmimet më të rëndësishme për golashënuesin më të mirë, trajnerin e arbitrin më të mirë, talentin e vitit dhe formacionin më të mirë.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mbajti një fjalim përshëndetës gjatë Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024. Në këtë event të veçantë dhe madhështor, Presidenti Duka shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj të gjithë aktorëve që kontribuan në sukseset dhe emocionet unike të vitit 2024.
Presidenti Duka falenderoi futbollistë e futbolliste, trajnerë, drejtues klubesh, akademish e shoqatash, arbitra, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e FSHF-së, qeverinë, FIFA-n, UEFA-n, bashkëpunëtorë, sponsorë, tifozë si edhe ekipin Kombëtar shqiptar, që zhvilloi një paraqitje dinjitoze dhe bëri krenarë të gjithë shqiptarët në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Videomesazh i Ceferin
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka dërguar një video-mesazh urimi për Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2024”, që po mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në këtë ngjarje prestigjioze, Ceferin përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe vlerësoi sukseset e arritura nga Federata Shqiptare e Futbollit gjatë vitit 2024.
Ai e cilësoi vitin 2024 si një periudhë të jashtëzakonshme për futbollin shqiptar dhe vlerësoi dy ngjarjet madhore që do të organizohen nga FSHF në vitin 2025; UEFA Euro U-17 “Shqipëri 2025” dhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. “Sot jemi mbledhur për të festuar arritjet e jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit në 2024. Një vit që padyshim na ka treguar se si forca e vendosmërisë, puna në grup dhe këmbëngulja mund të çojnë në sukses të jashtëzakonshëm – tha Ceferin -.
Nga performancat elektrizuese të ekipeve tuaja Kombëtare, te zhvillimi i vazhdueshëm i futbollit të bazës, viti që lamë pas ishte frymëzues për të gjithë kombin, duke sjellë momente gëzimi dhe krenarie për miliona shqiptarë anembanë botës. Qershia mbi tortë e fushatës ishte pjesëmarrja në UEFA EURO 2024, ku Shqipëria qëndroi fort në “grupin e vdekjes” kundër fituesve të ardhshëm, Spanjës, Italisë dhe Kroacisë”.
Bekim Balaj fiton “Këpucën e Artë” 2024
Me 18 gola në 36 ndeshje gjatë sezonit 2023-2024, Bekim Balaj është fituesi i “Këpucës së Artë” në kampionatin “Abissnet Superiore”. Balaj shënoi gola të rëndësishëm dhe me skuadrën e Vllaznisë, luftoi deri në fund për titullin kampion, duke arritur me plot meritë në “Final Four”.
Çmimin e “Këpucës së Artë” ia dorëzoi legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari, i cili e përgëzoi Balajn dhe e uroi për më shumë sukses në të ardhmen. Edhe në sezonin aktual (2024-2025), Bekim Balaj vazhdon të kryesojë renditjen e golashënuesve në kampionatin “Abissnet Superiore” me 13 gola.
Ermir Rashica fiton çmimin “Talenti i Vitit” për djem
Një nga çmimet më të rëndësishme të Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024 ishte padyshim edhe çmimi për “Talentin e Vitit” për djem. Ermir Rashica, futbollisti i talentuar i Skënderbeut, është shpallur “Talent i Vitit” 2024, ndërsa në garë për këtë çmim ishin edhe Ermal Meta i Tiranës, Ledjo Tresa i Laçit dhe Ergis Arifi i Teutës.
Sulmuesi i Skënderbeut zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke shënuar gola të rëndësishëm dhe duke udhëhequr skuadrën drejt objektivit “Final Four”. Çmimin Ermir Rashicës ia dorëzuan djemtë e dy legjendave të futbollit shqiptar, Sefedin Braho dhe Sabah Bizi, të cilët janë ndarë nga jeta. Pas marrjes së çmimit, Ermir Rashica falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i shprehu mirënjohjen për vlerësimin.
Bëri tripletë: Edlir Tetova shpallet “Trajneri i Vitit” 2024
Edlir Tetova është shpallur “Trajneri i Vitit” 2024. Tekniku shqiptar bëri histori me klubin e Egnatias përgjatë këtij sezoni, duke e udhëhequr drejt titullit të parë kampion në “Abissnet Superiore” dhe duke plotësuar tripletën me Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Mes të nominuarëve ishin edhe Orges Shehi, Ivan Gvozdenovic dhe Ilir Daja.
Në mbrëmjen gala që po mbahet sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit, zëvendës-trajneri i ekipit kombëtar, Pablo Zabaleta i dorëzoi Edlir Tetovës këtë trofe të rëndësishëm. Pasi mori trofeun, trajneri i Egnatias u shpreh: ‘Falënderim për Presidentin e Federatës për këtë super event dhe klubin e Egnatias me në krye Presidentin Demrozi. Falenderim edhe për çunat e mi të Egnatias’.
Juxhin Xhaja përzgjidhet “Arbitri i Vitit” 2024
Juxhin Xhaja është zgjedhur “Arbitri i Vitit” 2024 në Mbrëmjen Gala të organizuar nga FSHF. Xhaja, një nga arbitrat më të dalluar në Shqipëri dhe arbitër i FIFA-s që nga viti 2018, ka spikatur për performancën e tij gjatë vitit 2024, duke vendosur drejtësi edhe në kompeticionet më të rëndësishme europiane si Europa League, Conference League dhe Nations League.
Abritrat e tjerë në garë për këtë çmim ishin Eldorian Hamiti, Enea Jorgji dhe Kreshnik Cjapi. Në këtë ngjarje speciale, Hiqmet Kuka, ish-arbitër shqiptar i pajisur me stemën e FIFA-s ishte pikërisht ai që ia dorëzoi çmimin “Arbitri i Vitit” 2024 Juxhin Xhajës. Juxhin Xhaja u shpreh mjaft i lumtur që çmimi iu dorëzua nga një prej arbitrave më të njohur në Europë dhe i falënderoi të gjithë për vlerësimin.
Nga porta në sulm, ky është “Formacioni i Vitit” për vitin 2024.
Ashtu si në çdo edicion tjetër, përveç çmimeve individuale të dhënë për futbollistët shqiptarë të cilët kanë spikatur me paraqitjet e tyre përgjatë vitit 2024, është shpallur edhe formacioni më i mirë i vitit.
Nga porta në sulm, 11 lojtarët të cilët kanë qenë vendimtarë me klubet e tyre përgjatë vitit 2024 janë këto: Alen Sherri (portier), Edison Ndreca (mbrojtës i majtë), Renato Malota (qendërmbrojtës), Arbenit Xhemajli (qendërmbrojtës), Arsid Kruja (mbrojtës i djathtë), Arinaldo Rrapaj (mesfushor i majtë), Albano Aleksi (mesfushor qendre), Arbin Zejnullai (mesfushor i djathtë), Ermir Rashica (sulmues i majtë), Bekim Balaj (sulmues qendre) dhe Baton Zabërgja (sulmues i djathtë).
11 futbollistët u ngjitën në skenë dhe tërhoqën çmimet, teksa nuk munguan falënderimet e rastit dhe një foto e të gjithë ekipit së bashku.
⚽ 𝐅𝐎𝐑𝐌𝐀𝐂𝐈𝐎𝐍𝐈 𝐌𝐄 𝐈 𝐌𝐈𝐑𝐄 𝐈 𝐕𝐈𝐓𝐈𝐓 𝟐𝟎𝟐𝟒#TopiiArte #formacionimeimire #metemiret #futboll #fshf pic.twitter.com/j8ZHEQmSEm
— FSHF (@FSHForg) January 27, 2025