Gjatë konferencës për mediat me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, kryeministri Edi Rama ka shmangur komentet për sulmin me grusht ndaj Sali Berishës.
I pyetur nga një gazetare e Politico, Rama nuk pranoi të bënte asnjë koment duke thënë thjeht që reagimi i tij për ngjarjen është publikuar në faqen e qeverisë. Nga mediat shqiptare pati vetëm dy pyetje nga gazetaret e Klan e Abc. Asnjë prej tyre nuk kishte lidhje me incidentin në protestën e opozitës. Më poshtë reagimi mëparshëm i Ramës i shpërndarë për mediat.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme! Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit”.